Lirim Mehmetaj pretendon se zyrtarja policore po siguron fizikisht Dejona Mihailin jashtë kompetencave

Një postim i bërë nga Lirim Mehmetaj në rrjete sociale ka ngritur akuza lidhur me angazhimin e zyrtares së Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Marigona Beadini.

Sipas Mehmetajt, Beadini “është caktuar jashtë çdo rregulli për t’u kujdesur për sigurinë fizike të Dejona Mihailit”, duke e cilësuar këtë si trajtim të veçantë dhe të pajustifikuar për Mihailin. Ai pretendon se në këtë mënyrë, Mihaili po shfrytëzon një resurs shtetëror për nevoja personale.

Mehmetaj po ashtu thotë se Inspektorati Policor i Kosovës “e ka vërtetuar rastin dhe e ka konstatuar shkeljen, por nuk po merr masa”. Ai e cilëson këtë si shembull të mungesës së llogaridhënies institucionale.

Asnjëra nga palët e përmendura nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve deri në momentin e publikimit të këtij lajmi. Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me rastin.