Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Skenderaj, Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë thënë se janë sulmuar nga kryetari i kësaj komune që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, dhe atë që e kanë quajtur banda e tij. Por në një reagim më vonë, Lushtaku ka mohuar se e ka sulmuar Mehanin e Zabelin, porse ka thënë se qytetarët reaguan pas etiketimeve “Sami Serbia”. Spitali në Mitrovicë ka bërë të ditur se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve në kokë.
Rasti fillimisht u publikua Zabeli në Facebook, shkrim që u postua në emër të Mehanit, ku ai lajmëronte se është rrahur nga “banda e Sami Lushtakut” dhe se ia kanë marrë telefonin.
Më pas reagoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se Mehani u sulmua kur po pinte kafe me ish-deputeten e Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë në një kafene të Skenderajt nga Lushtaku dhe truprojat e tij. Ata kanë publikuar edhe foton se si duket Mehani, i cili shihet i gjakosur në fytyrë. Mehani së fundmi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Financave.
“Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagim.







