Armend Mehaj

Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë sot homazhe te varrezat e Jasharajve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Mehaj ka thënë se restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet.

“Sot së bashku me kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë. Atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit , i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen”, thotë ai.

Ministri ka shtuar tutje se “kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë, e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim definitiv”.

“Restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjies sonë kombëtare, do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet , sepse këtë ia kemi borxh, jo Familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit. Të lavdishëm gjithmonë Jasharajt Legjendar”.