Mediat serbe shpërndajnë lajmin ku amerikanët kërkojnë tërheqjen e trupave nga Kosova

Senatori amerikan, David Perdue, gjatë ditës së sotme ka komentuar mos-heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Përmes një postimi në Twitter ai ka thënë se nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë praninë e trupave aty.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar ai.

E këtë thirrje të senatorit Perdue, e ka përkrahur edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë –Serbi, Richard Grenell.

Menjëherë pas tij, këtë postim e shpërndau edhe Donald John Trump, djali i presidentit amerikan Donald Trump.

Madje, Trump ka thënë se pajtohet me mendimin e senatorit amerikan, teksa ka thënë se ka ardhur koha që këta trupa të rikthehen në SHBA.

“Pajtohem. Aktualisht janë 650 trupa në Kosova. Është koha për t’i kthyer në shtëpi”, ka shkruar Donald Trump Junior.

E këto lajme janë shpërndarë edhe ne mediat serbe. Është RTS ajo që ka shpërndarë postimin e djalit të Trump, ku beri thirrje që 650 trupa amerikane që gjenden në Kosova, të kthehen në shtëpi.

Për këtë ka shkuar edhe Novosti e shumë media të tjera serbe.