Mediat serbe raportuan se Sveçlës e Haxhiut u është anuluar vizita në SHBA, reagon këshilltari i Ministres

Shef i Kabinetit të Ministres Albulena Haxhiu, Genc Nimoni, i ka mohuar raportimet e mediave serbe se Ministres Haxhiu dhe Ministrit Xhelal Sveçla u është anuluar vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Express.

Ka thënë se ky lajm është i pavërtetë, shpifës dhe tendencioz.

“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.

Sipas Nimonit, Haxhiu planifikon vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë dhjetorit, me ftesë të autoriteteve amerikane.

Gjatë kësaj vizite, Nimoni ka thënë se Haxhiu do të ketë takime zyrtare me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit për Drejtësi dhe institucione të tjera.

“Me ftesë të autoriteteve Amerikane, në muajin dhjetor të këtij viti, Ministrja Haxhiu planifikon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës vizitë do të ketë takime zyrtare me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit për Drejtësi dhe institucione të tjera.

Në këtë vizitë, Ministrja Haxhiu do të jetë edhe pjesë e konferencës globale anti-korrupsion në Ëashington DC”, ka shkruar Nimoni.