Mediat

Mediat serbe raportojnë me “gëzim” për mosvendosjen e masave tjera nga Kosova

Pas mbledhjes së Qeverisë ditën e sotme, Kryeministri Haradinaj në një konferencë për media tha se masat e reja ndaj Serbisë janë të gatshme, por do të ndërmirren vetëm në rast se Serbia vazhdon sjelljen e saj arrogante në drejtim të Kosovës.

“I kemi identifikuar të gjitha veprimet që mund t’i ndërmarrim. Mendoj që masa e taksës 100% është një efekt i respektueshëm dhe nëse Serbia vazhdon me sjelljen e saj që e ka pasur deri më sot ndaj Kosovës, atëherë do të ndërmirren edhe masat e reja” ka thënë Haradinaj, transmeton Ballkani.info.

E këtij lajmi si duket iu kanë gëzuar qytetarët në Serbi. Mediat serbe kanë raportuar se masat e reja të planifikuara nuk do të hyjnë në fuqi nga Qeveria e Kosovës nëse Serbia nuk e bllokon Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Por këto media kanë theksuar se sipas paralajmërimit të Kryeministrit Haradinaj, në rast se Serbia vazhdon sjelljen e njejtë ndaj shtetit të Kosovës, do të merret vendim për masa të reja e që nënkuptojnë humbje më të mëdha për serbët, përcjell Ballkani.info.

Tutje, është përmendur edhe qëndrimi i Haradinajt dhe deklaratat e tij rreth dialogut, të cilin sipas tij e ka ‘mbytur’ shefja e Bashkimit Evropian, Frederika Mogherini e cila sipas Kryeministrit dialogun për rregullimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e ka kthyer në dialog për korrigjim kufijsh andaj edhe mendimet e saj rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, për Haradinajn janë ‘të pavlefshme’. /Ballkani.info/