Mediat ruse: ‘Tradhtarët’ sikurse Aleksei Navalny meritojnë vdekjen

Rivali kryesor i presidentit rus Vladimir Putin, Alexei Navalny i cili verën e kaluar u helmua me agjentin nervor Novichok, u dënua u me 2 vjet e 8 muaj burg efektiv mbi akuzat e trilluara nga Shërbimi Federal i Burgjeve i Rusisë (FSIN). Autoritetet ruse pretenduan se Navalny deri sa ishte në Gjermani për trajtim pas helmimit ka shkelur kushtet e dënimit me kusht të një rasti të shpikur për përvetësim të fondeve më 2014.

Dënimi me kusht i Navalnyt kishte përfunduar në muajin qershor 2018 dhe periudha e tij e paraqitjes kishte përfunduar më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Sidoqoftë, zyrtarët e ngarkuar në çështje e kanë akuzuar Navalnyn që nuk ishte kthyer në Rusi menjëherë pasi doli nga koma, edhe pse trajtimi i tij mjekësor vazhdoi edhe disa muaj.

Navalny u kthye në Rusi më 17 janar ku ishte arrestuar menjëherë. Duke dalë para gjykatës, Navalny theksoi se Putini e dinte se ku ishte, pasi ishte mburrur që e kishte lejuar aktivistin e opozitës të udhëtonte në Gjermani për trajtim mjekësor. Avokati i tij, Vadim Kobzev i tha trupit gjykues se, “i gjithë vendi, e gjithë bota e dinte se ku ishte ai”. Revista e pavarur javore e lajmeve ruse, The New Times e përmblodhi situatën, duke shkruar se, “Navalny thjesht po gjykohet pasi i kishte mbijetuar helmimit. Duke folur në gjykatë gjatë seancës të së martës, Navalny e tregoi kuptimin e vërtetë të procedimeve: ‘Ata po burgosin një person në mënyrë që të trembin miliona të tjerë'”.

Nëse pyesni Margarita Simonyan, kryeredaktoren Russia Today në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, burgu nuk është një dënim mjaft i ashpër. Simonyan shpjegon pikëpamjet e saj tronditëse gjatë emisionit “Mbrëmja me Vladimir Soloviev” në kanalin televiziv shtetëror rus Rossiya 1. “Unë jam krenare për atdheun tim”, bërtiti ajo dhe argumentoi se ata që përpiqen të minojnë regjimin duhet të trajtohen ashpër dhe të burgosen menjëherë. Simonyan e përshkroi Navalny si “një tradhtar i atdheut”.

“Ne nuk e dimë kush i helmoi Skripalët [Sergei dhe Yulia] apo [Aleksandar] Litvinenkon, ne nuk e dimë nëse Rusia e bëri këtë apo jo. Por më lejoni të them diçka të ashpër dhe jopopullore. Kush ishin Skripal dhe Litvinenko? Tradhtarët e mëmëdheut… Dhe cili vend do t’i lejonte tradhtarët e mëmëdheut të ecnin pa u ndëshkuar?”, shoti ajo.

“Do t’ju tregoj një gjë të frikshme: nëse do të kuptoja dhe të vërtetoja se [helmimet] ishin vepër e shërbimeve të inteligjencës kundër agjentëve të shërbimeve të tjera të inteligjencës, nuk do të shqetësohesha aspak”, përfundoi Simonyan. Skripalët dhe Litvinenko u helmuan nga agjentët e shtetit rus, në Britani të Madhe. Litnivenko vdiq më 2006 nga rrezatimi me polonium-210. Gjatë të njëjtës shfaqje, drejtuesi Vladimir Soloviev dhe panelistët e përmendën Navalnyn si “një tradhtar” dhe e akuzuan atë për bashkëpunim me agjencitë perëndimore të inteligjencës. Përfundimi është se zëdhënësit e Kremlinit po hedhin bazat për të justifikuar fatin e Navanyt, sado i tmerrshëm të jetë. Krimi më i madh i Navalnyt në sytë e Kremlinit është simbolizimi i idesë që njerëzit mund të zgjedhin një lider përveç Putinit, ose madje të kenë një mundësi për të vendosur vetë. Udhëheqësi i patrembur i opozitës ruse frymëzoi demonstrata të shumta kundër korrupsionit qeveritar, të cilat çuan në pjesëmarrje masive në të gjithë Rusinë dhe përfunduan me arrestimin e 5,000 personave, përfshirë 82 gazetarë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov ka hedhur poshtë thirrjet e Shtëpisë së Bardhë për lirimin e Navalnyt.

“Sa i përket deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e SHBA-së mbi demonstratat e paligjshme në vendin tonë, unë përsëris se ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë dhe të dëgjojmë deklarata të tilla të amerikanëve dhe nuk do ta bëjmë atë”, tha Peskov. Duke u paraqitur në “Mbrëmja me Vladimir Soloviev”, Dmitry Kulikov, anëtar i një grupi të ekspertëve të organizuar nga rrjeti televiziv shtetëror Russia Today, e deshifroi mesazhin e Peskovit ashtu siç e kishte kuptuar. Kulikov shpjegoi se Peskov po i thoshte në mënyrë diplomatike sekretarit amerikan Antony Blinken, “Shporruni nga këtu, nuk na intereson atë se çfarë keni thënë. Ne nuk do t’iu kushtojmë më vëmendje”.

Mediet shtetërore ruse akuzojnë vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nxitjen e një tjetër “revolucioni me ngjyra” në Rusi – perspektiva që dukshëm e nervozoi Kremlinin. Duke folur para studentëve në një paraqitje televizive, Putini tregoi ngjarje të ndryshme të historisë ruse, si revolucioni i vitit 1917 dhe rënia e Bashkimit Sovjetik, duke paralajmëruar kundërshtim të “destabilizimit të shoqërisë dhe qeverisë”.

Duke tërhequr paralelet me revolucionin e vitit 1917, emisioni televiziv shtetëror rus “Vesti Nedeli” paralajmëroi shikuesit se revolucionet pashmangshëm përfundojnë me “gjak, hidhërim dhe varfëri”. Margarita Simonyan e përshkroi komentin e Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me protestat ruse si “gjëja më qesharake”. Më qesharake ishte se ajo Rusinë e përshkroi si “vendi më liberal” nga të gjitha kombet e civilizuara. “Ne duhet të jemi më të ashpër”, argumenton Simonyan, ndërsa u bëri thirrje “vëllezërve” që ta zbatojnë ligjin rus për të goditur protestuesit e pabindur. Ajo u tall me demonstruesit që guxuan të brohorisnin kundër Kremlinit. “Jo, kjo është marrëzi. Ju nuk jeni pushteti këtu”, përfundon ajo.