Mediat italiane: Djali i Vuçiqit është menaxher i futbollistit Vllahoviq

Djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiq, aktualisht është menaxher i njërit prej futbollistëve të rinj më të kërkuar në botë, Dushan Vllahoviq, shkruan gazeta italiane “La Repubblica”. Kjo media bën të ditur se agjentët e Vllahoviqit, mes të cilëve dyshohet se është edhe i riu Vuçiq, janë përgjegjës për faktin se sulmuesi i ri serb e ka refuzuar ofertën e Fiorentinës për vazhdimin e kontratës.

Kur drejtuesit e klubit të futbollit Fiorentina nga Firence para disa muajsh nisën negociatat me futbollistin Dushan Vllahoviq, besuan se do të arrinin ta mbanin me një ofertë të mirë sulmuesin e ri më të mirë në ligën e parë italiane.

Me rrogën e ofruar nga Fiorentina, Vllahoviq do të bëhej lojtari më i paguar në historinë e këtij klubi italian, pohoi presidenti i klubit – do të merrte më shumë se legjendat e klubitGabriel Batistuta dhe Rui Costa. Negociatat, megjithatë, nuk shkuan siç pritej.

“Agjenti i tij duhet të vijë në Firence, ai po udhëheq negociatat. I thashë se po rrezikonte shumë. Ne i ofrojmë 40 milionë për pesë vjet. Unë punoj gjatë gjithë vitit për atë që ai mund të marrë në dy ose tre ditë”, u tha gazetarëve presidenti i klubit Rocco Commisso në fund të shtatorit të këtij viti.

Vetëm një javë më vonë, Commisso e lëshoi ​​një deklaratë. Përkundër ofertës joshëse, Vllahoviq ende nuk pranoi ta vazhdonte bashkëpunimin me klubin për të cilin ka luajtur tre vitet e fundit.

“Ne e rritëm ofertën disa herë për ta kënaqur Dushanin dhe njerëzit rreth tij, por me gjithë përpjekjet nuk u pranua propozimi për kontratë të re.”

Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, rol të rëndësishëm në zgjidhjen e kontratës kanë luajtur agjentët që e përfaqësonin Vllahoviqin. Dukej se kishin oreks më të madh, transmeton Express.

Sulmuesi i ri përfaqësohet nga agjencia “International Sports Office” nga Beogradi dhe drejtori i saj Darko Ristiq. Mirëpo, Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, së fundi është përmendur në mesin e agjentëve në krye të Vllahoviq, shkruan kjo gazetë italiane.

“Danilo Vuçiq është një nga përfaqësuesit e sulmuesve, por edhe djali i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Vuçiq, ndër të tjera, doli në qendër të vëmendjes së publikut për shkak të fotos që e tregon atë në shoqërinë e njerëzve të nëntokës serbe, aq sa babait të tij iu desh të ndërhynte në mes të fushatës zgjedhore”, shkruan gazeta italiane.

Edhe mediat sportive italiane bënë të ditur se i riu Vuçiq ishte agjent i Vllahoviqit. Portali “FirenzeViola” shkruan se djali i presidentit serb është me ndikim në agjenci, e përveç kësaj ai është edhe mik i mirë me futbollistin e ri.

Mirëpo, Fiorentina nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se në negociata si agjent ka marrë pjesë edhe djali i Vuçiqit.

Agjenti zyrtar i Vllahoviqit, Darko Ristiq, pohon për “KRIK” se pretendimet e shtypit italian që e lidhin djalin e Vuçiqit me Vllahoviqin janë të pavërteta.

“Danilo Vuçiq nuk është i angazhuar në asnjë mënyrë në agjencinë ‘International Sports Office’, as që ka qenë ndonjëherë, pra nuk është agjent i futbollistit Dushan Vllahoviq”, ka thënë Ristiq në një përgjigje me shkrim.

Gazetarët e “KRIK” i kanë dërguar pyetje presidentit të Serbisë dhe Danilo Vuçiqit përmes Suzana Vasiljeviq, këshilltare për media e presidentit serb.

“La Repubblica paraqiti trillimet më të tmerrshme në kurriz të një djali që kurrë nuk e bëri atë punë. Ajo që është më e frikshme, ata nuk citojnë ndonjë burim përkatës për gjetjet e tyre, as konfirmim se Danilo ka qenë i kontaktuar lidhur me këtë temë. Unë do ta këshilloj Danilon që të marrë avokatë dhe t’i padisë, sepse ky është një skandal i përmasave ndërkombëtare”, tha këshilltarja e Vuçiqit.

“Kjo mjafton. “La Repubblica” as nuk e ka marrë mundimin të kërkojë koment nga Danilo, prandaj nuk ka nevojë që ai të përgjigjet për diçka në të cilën është përfshirë kundër dëshirës së tij”, ka thënë Vasiljeviq për “KRIK”.

Komisioni

Gjatë negociatave disamujore, Vllahoviq dhe drejtuesit e Fiorentinës ishin dy herë afër marrëveshjes, shkruan “La Repubblica”, por të dyja herë agjentët ishin të pakënaqur.

Oferta e fundit ishte në tryezë në fund të shtatorit. Për të vazhduar me Fiorentinën deri në vitin 2026, klubi i ofroi Vllahoviqit 24 milionë euro, një klauzolë blerjeje prej 75 milionë euro (çmimi më i ulët për të cilin Fiorentina do ta shiste) dhe 3 milionë komisione për agjentët.

Agjentët nuk kërkuan kompensim më të lartë për Vllahoviqin apo kushte më të mira, por, siç shkruan “La Repubblica”, më shumë para për veten e tyre – 5 milionë euro komision dhe 10 për qind në rast shitjeje. Firentina u tërhoq.

Komisioni prej 3 milionë eurosh që Fiorentina u ofroi agjentëve shkon në 12.5 për qind të tarifës së futbollistit. FIFA bën të ditur se nga viti i ardhshëm mund ta kufizojë shumën e pjesës menaxheriale në 3 për qind të tarifave dhe 10 për qind në rastin e shitjeve. FIFA njofton se do të prezantojë licencat dhe një test të detyrueshëm për agjentët.