Mediat e regjimit në Serbi: QUINT-i ultimatum Vuçiqit për barrikadat

Ambasadorët e QUINT-it i kanë dërguar Serbisë një ultimatum, bëjnë të ditur mediat që kontrollohen nga Aleksandër Vuçiq.

Sipas tyre ambasadorët e QUINT( SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e Italia) i kanë dërguar ultimatum presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq,  duke i kërkuar heqjen e barikadave për 24 orë.

Siç raportohet, serbët duhet t’i heqin barrikadat, në të kundërtën “Albin Kurti do të marrë “dritën jeshile” për të dërguar forcat e tij speciale për heqjen e tyre”, raportojnë këto media.

Ndërkohë mbrëmë, KFOR-i ka konfirmuar se të dielën mbrëmë një patrullë të kësaj force  derisa ishte në detyrë në Zubin Potok ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të tyre.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet, ashtu siç kemi bërë do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu pikërisht  mediat pro-regjimit të Vuçiqit kanë propaganduar që “ka përleshje në Zubin Potok mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë”.