Fjalimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tërhoqi vëmendjen e mediave ruse, të cilat më së shumti veçuan pjesën ku ai flet për marrëdhëniet me Federatën Ruse.

Serbia po zhvillon marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara, vendet aziatike dhe afrikane dhe nuk po i ndërpret lidhjet me Rusinë, raporton RIA Novosti ruse nga prezantimi i Vuçiqit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, transmeton Ballkani.info.

“Tani Serbia ka bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara, pothuajse të shkëlqyer dhe besojmë se marrëdhëniet tona vetëm do të përmirësohen në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, Serbia do të mbajë miqësi të madhe dhe tradicionale në të gjitha kontinentet, krenare për marrëdhëniet e mira me të gjithë popujt dhe vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine”, tha Vuçiq, transmeton RIA Novosti.

Ruska Gazeta raporton: “Ne nuk i ndajmë njerëzit në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe besimeve fetare, kështu që marrëdhëniet tona me Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë dhe shumë vende arabe dhe myslimane janë në nivelin më të lartë historik. Ne gjithashtu nuk po i ndërpresim lidhjet tona të rëndësishme dhe historike me Federatën Ruse”, ka theksuar lideri serb, transmeton Gazeta Ruse.

Ata shtojnë se presidenti i Serbisë ka thënë se “Beogradi aktualisht ka një bashkëpunim ‘të mirë’, ‘pothuajse të shkëlqyer’ me Uashingtonin.

“Ne besojmë se marrëdhëniet tona vetëm do të përmirësohen në të ardhmen”, vazhdoi Vuçiq.

Në fund, kjo media kujton se Serbia nuk po i prish “lidhjet e rëndësishme dhe historike” me Rusinë dhe shton se së fundmi Vuçiq dhe ambasadori rus në Beograd Aleksandar Boçan-Karçenko konfirmuan zhvillimin harmonik të Serbisë dhe Rusisë.

Lenta.ru shton se Vuçiq duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka kujtuar se pothuajse të gjitha vendet perëndimore kanë gabuar duke shkelur Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Kosovë dhe duke sulmuar Serbinë.

TvZvezda, kanali zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes ruse raporton se Vuçiq ka thënë se Serbia dëshiron të bëhet anëtare e plotë e BE-së dhe se kjo nuk përjashton vendosmërinë për të zhvilluar bashkëpunimin me miqtë tradicionalë.

Vuçiq më herët tha se për Serbinë mbështetja e Rusisë është çështje parimore, edhe nëse për shkak të refuzimit të vendosjes së sanksioneve antiruse, presioni nga vendet perëndimore rritet dhe tentohet të izolohet Beogradi në skenën ndërkombëtare.

Kjo media raporton se, siç tha Vuçiq, kundër Serbisë po zhvillohet një fazë e re e luftës informative për të bërë presion mbi Beogradin dhe për të ndryshuar qëndrimin ndaj sanksioneve ndaj Rusisë. /Ballkani.info/