“Më tërhoqën ku nuk kishte kamera, gjithçka ishte e planifikuar mirë”- Visar Duriqi tregon me detaje se si ndodhi sulmi!

Gazetari, Visar Duriqi ka folur edhe një herë në ‘Top Channel’ pas sulmit të ndodhur dy ditë më parë para banesës së tij, raporton Gazeta Blic.

Duriqi ka thënë se dhuna lidhet me profesionin e tij dhe punën si gazetar investigativ.

“Më kishin bërë pritë para shtëpisë, mendoj se çdo gjë ishte e llogaritur. Vendi para shtëpisë ka kamera, ata më tërhoqën tutje, aty ku nuk kapte kamera. Pra, e kishin menduar mirë. Ishin tre persona, me maska dhe këpucë, të gjatë dhe trupa të mëdhenj. Unë nxora thikën, as vetë se di si reagova, mbaj mend që godita. Madje të parin e godita mirë, por asnjëri nuk është paraqitur në spital“, rrëfen Duriqi për “Shqipëria live”.

Pyetjes se a beson se policia do të zbardhë ngjarjen, gazetari i përgjigjet.

“Patrulla e policisë erdhi brenda 5 minutash, i mblodhën provat me kujdes, me sa kuptoj unë po bëjnë maksimumin. Disa prej shenjave të gjakut kanë mbetur në thikë, besoj mund të identifikohen“.Duriqi thotë se kjo është hera e parë që dhunohet fizikisht, por shprehet i vendosur për të vazhduar punën e tij. “Tani jam nën mbikëqyrjen e policisë dhe nuk ndihem i frikësuar. Dua të rikuperohem dhe të vazhdoj punën, nuk do të më ndalojë kjo që ndodhi“.