“Me ne në qeverisje jo që nuk largohen qytetarët, por edhe ata që kanë ikur kthehen”: Molliqaj risjell premtimin e madh të Kurtit

Deklarimi i Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se largimet masive si asnjëherë më parë të qytetarëve të Kosovës nga vendi “janë diçka normale”, tashmë është bërë brum për debat të ashpër në vend. Kjo duke e ditur se çfarë qëndrimesh artikulonte Lëvizja Vetëvendosje kaherë rreth shpopullimit për një jetë më të mirë jashtë vendit.

Ish-bashkëpartiaku i Lëvizjes Vetëvendosje, tash Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ktheu vëmendjen nga e kaluara, se sa jonormale e konsideronin ata ikjen nga vendi, dhe çfarë zotimesh profesonin në publik për të ardhmen me ta në qeverisje.

“Me zgjedhjet e reja dhe Vetëvendosjen në qeverisje pushojnë arsyet që të ikin qytetarët, dhe jemi ne ata që do të krijomë kushtet që kthehen edhe ata që kanë shkuar”, thoshte Kurti në videon që risolli Molliqaj.