Më në fund reagon Veton Surroi, distancohet nga “allishverishi” për lejen ndërtimore

Publicisti Veton Surroi më në fund ka reaguar pas rastit “Brezovica”, që sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, “Stella Consulting”, në të cilën Surroi është aksionar, dyshohet se ia ka dhënë rreth 410 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, që ta siguronte lejen ndërtimore.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Surroi është përpiqur të distancohet, duke thënë se “Stella Consulting” nuk është marrë as me leje, as me ndërtim dhe as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit.

Surroi ka thënë se “Stella Consulting” si investim i huaj me aksionar mazhoritar z.Gentian Sulon, i ka kontraktuar të gjitha veprimet e veta ekzekutive nëpërmjet një kontrate të përgjithshme me sistemin “çelësa në dorë”, përfshirë konsulencën paraprake tekniko-ligjore me një kompani tjetër të përzgjedhur në mënyrë të ligjshme midis disa kompanive dhe ka paguar çdo detyrim të ardhur nga kjo kontratë në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe duke respektuar ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës.

Surroi më tej i ka fajësuar edhe mediat për raportime, duke thënë që nuk e ka kontaktuar askush, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Demokracia.com disa herë e ka telefonuar atë, mirëpo asnjëherë nuk e ka hapur telefonin.

Prokuroria ka ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit që janë të përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Postimi i plotë i publicistit Veton Surroi, aksionar në kompaninë “Stella Counsulting”:

Përgjigje ndaj një fushate

Për hir të sqarimit miqve të mi që janë trazuar nga fushata që po zhvillohet ndaj meje, po i shkruaj këto pak rreshta.

• Prej datës 22 dhjetor të vitit të kaluar janë botuar me dhjeta shkrime në disa portale duke më akuzuar për përfshirje në korrupsion në rastin “Brezovica” . As edhe një herë as njëri prej portaleve-prej atyre që profesion e kanë baltosjen deri te ato që e quajnë veten pjesë të gazetarisë hulumtuese-NUK kanë kërkuar informatë apo koment nga unë. Kjo është shkelje bazike e etikës profesionale.

• “Stella consulting”, aksionar i së cilës jam NUK është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit. “Stella consulting” , si investim i huaj me aksionar mazhoritar z.Gentian Sulon (mik imi dhe afarist i respektuar i Shqipërisë) , i ka kontraktuar të gjitha veprimet e veta ekzekutive nëpërmjet një kontrate të pergjithshme me sistemin ” çelësa në dorë” përfshirë konsulencën paraprake tekniko-ligjore me një kompani tjetër të përzgjedhur në mënyrë të ligjshme midis disa kompanive dhe ka paguar çdo detyrim të ardhur nga kjo kontratë në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe duke respektuar ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo dokumentacion ligjor para dhe pas fillimit të ndërtimit deri në mbarimin e veprës është realizuar nga kjo kompani, duke përjashtuar në këtë materje nga çdo përgjegjësi juridike “Stella consulting”.

• Portalet e këtilla nuk ndiejnë përgjegjësi profesionale e as juridike për veprimet e veta. Sivjet bëhen NËNTË vjet prej kur është ngritur padia për shpifje kundër një portali. Gjykata në shkallë të parë pas PESË vjetësh konstatoi se portali dhe përgjegjësit e tij kanë shpifur kundër meje dhe u është caktuar dënimi me të holla. Prej atëherë kanë kaluar KATËR vjet dhe lënda pret për t’u shqyrtuar  në Gjykatën e apelit.