Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar varrosjen me nderime të larta të zyrtarit të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu në fshatin e tij të lindjes në Likofc të Skenderajt.
Për të bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe Likofc, morën pjesë familjarë, miq, shokë, kolegë të FSK-së, si dhe një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, shokët dhe kolegët, duke vlerësuar punën dhe kontributin e çmuar të Liman Musliut në të gjitha periudhat e shërbimit të tij për vendin “së bashku me Limanin krijuam themelet e shtetit të Kosovës, ai ishte frymëzim, ishte shok e mik për të gjithë ne”.
Bashkim Jashari, Kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura dhe komandanti i njësisë Tigrat e Zi, Ferid Berisha nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, “vlerësuan lartë kontributin e Limanit si në luftë po edhe pas luftës në krijimin e institucioneve të sigurisë në vende”, thuhet më tej në njoftim.
Në varrim nuk kanë marrë pjesë as kryeministri Albin Kurti e as ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. /Ballkani.info/







