Me ndarjen e 10 milionë eurove nga Qeveria Kurti për rrymën në veri u shkelën disa ligje, thotë Avokati i Popullit

Për më shumë se tri orë, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut diskutuan lidhur me vazhdimin e pagesës së energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Prezent në këtë mbledhje ishte edhe Avokati i Popullit. Sipas tij, ndarja e 10 milionë eurove nga Qeveria në detyrë për borxhin e faturave të energjisë elektrike është shkelje e disa ligjeve, raporton KOHA.

Ndërkaq, sipas Besa Ismailit, nënkryetare e Komisionit Parlamentar, është diskutuar nëse vendimi i Qeverisë në detyrë është formal ose jo, pasi që nuk ka vendim me shkrim.

Ismaili ka njoftuar se në mbledhjen e radhës pritet të ftohen edhe përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se nuk bëhet fjalë për falje të borxhit.

Në Komision u diskutua edhe për hapat që duhen të ndërmerren lidhur me mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale, si dhe për rastet e ngacmimeve kibernetike tek fëmijët.