Gazetari Lirim Mehmetaj ka dhënë hollësi të reja për incidentin me familjen Geci, duke deklaruar se persona nga kjo familje i kanë kërkuar ta largojë ose ta ndryshojë një postim për deputetin Fatos Geci dhe se, pas refuzimit të tij, kanë pasuar kërcënimet.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Mehmetaj ka treguar se personat në fjalë kishin shkuar edhe në zyrën e tij, ndërsa ai më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.
“E kam bërë atë postim. Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo. Kanë thënë me u taku. Kam thënë okej. Më kanë thënë me heq postimin, iu kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Sipas tij, pasi nuk kishte pranuar ta largonte postimin, personat që kishin shkuar në zyrë i kishin kërkuar t’ia ndryshonte përmbajtjen.
“Njëherë kanë qenë ma komunikativë, kam thënë jo, nuk hiqet. Më kanë thënë ani, me ia ndërru përmbajtjen, kam thënë jo. Edhe i kam largu prej zyrës”, ka treguar ai.
Mehmetaj tha se, pas refuzimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime.
“Kur ju kam thënë unë që nuk e heqi, kanë kërcënu ata me demek, nëse s’e heq kështu…”, ka deklaruar gazetari.
Ai ka treguar se kishte vendosur të ndiqte rrugët institucionale, duke e njoftuar Policinë për rastin.
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin. Unë mangup s’jam, po me ma diktu mu çka shkruaj s’ka shans, me u rrotullu tokë e qiell. Shans nuk ka hiq, hiq, hiq, askush”, është shprehur Mehmetaj.
“I kam thënë: Në rregull është, vazhdoni, largoni prej zyrës dhe janë largu. Jam shku në polici dhe e kam paraqit rastin, sepse po jetojmë në demokraci. Kam shku në rrugë institucionale”, ka shtuar ai.
Përplasja kishte nisur pas një postimi kritik të Mehmetajt ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, lidhur me deklaratat e këtij të fundit për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe UÇK-në.
“Deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, e ka bërë një postim krejtësisht të padrejtë, ku ia adreson UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve 244 vrasje. Këto akuza nuk i ka bërë as Serbia”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, Gani Geci kishte njoftuar në Facebook për një marrëveshje pajtimi mes familjes së tij dhe asaj të gazetarit Mehmetaj.
Sipas Gecit, takimi ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e deputetit Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonajt.
Gazetari Mehmetaj kishte reaguar më pas, duke bërë të qartë se nuk do ta largonte postimin për Fatos Gecin.
“Këtij postimi e asnjë postimi tim tjetër nuk do t’i hiqet kurrë asnjë shkronjë”, kishte shkruar ai.







