“Më dërgoi në një bodrum dhe më pyeti kur ke kryer marrëdhënie seksuale”, 18 vjeçarja pretendon se u ngacmua nga një polic

Vajza 18 vjeçe pretendon se të hënën është ngacmuar seksualisht nga një polic me rroba civile. Rasti ka ndodh në Prishtinë, ndërsa Policia ka nisur hetimet.

Kishte vendosur që pasditen e së hënës ta kalojë së bashku me të dashurin e saj.

Së bashku kishin shkuar në parkingun e një qendre tregtare në Lagjen e Spitalit.

Derisa ishin duke qëndruar aty, në kohën kur masat e lëvizjes në Prishtinë, dhe në Kosovë janë të kufizuara – çiftit nga Prishtina një person ua kishte kërkuar kartat e identitetit.

I njëjti u kishte thënë se është polic civil.

“Kam qenë me të dashurin në parkingun lartë në katin e fundit, të një qendre tregtare, jemi ulur dhe pas pesë minutave ka ardhur një person i cili na tha se ishte polic civil. Kishte të veshur një maicë të kaltër të errët me vija të bardha, kishte pak mjekër, ishte i gjatë përafërsisht 1.70, i dobët. Ai na kërkoi kartat e identitetit dhe na pyeti nëse kemi dal në orar. I dashuri im po, ndërsa unë nuk e kisha kohën të dal atëherë”, rrëfen ngjarjen për Insajderin vajza 18 vjeçe e cila jeton në Prishtinë.

Siç pretendon ajo nga polici me rroba civile janë urdhëruar që të largohen nga aty dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre.

“Na pyeti se nga ishim, më pas na tha ejani me mua poshtë se patrolla është duke ardhur. Kemi shkuar poshtë, ndërkohë na tha shkoni në shtëpi. Mua më tha të shkojë në një rrugë tjetër ndërsa të dashurit tim në një tjetër. Unë nuk e dija rrugën që ai më tha dhe shkova nga një tjetër që e dija, më lartë u takuam prapë me të dashurin tim, ai më tha se do më përcillte deri te banesa, kur mbërritëm te Fontana në Ulpianë, ai na doli para dhe na tha: pse prapë ju bashkë a ju thash të ndaheni? Na urdhëroi të shkojmë ndaras në shtëpi”, vazhdon vajza rrëfimin, emër ky i njohur për redaksinë.

“Rrugës e telefonova të dashurin për ta pyetur se ku është apo mos e ka marrë polici civil me vete. Teksa po bisedoja me të, afër hyrjes së banesës time më doli para i njëjti person dhe ma bëri me shenjë ta ndal telefonin. Pastaj më tha do të vijnë dy policë për të më marrë dhe për të dërguar në stacion për deklaratë. Më detyroi ta thërrisja në telefon të dashurin përsëri për t’i thënë se jam me dy policë dhe do më çojnë në stacion”, tregon ajo.

Pas kësaj, i dyshuari, që sipas vajzës del të jetë polici me rroba civile e kishte urdhëruar atë të ecte deri në lagjen “Dardania”.

“U ulëm te disa karrige ndërsa ai foli në telefon me njëfarë Zejnepe dhe e pyeti a ta marrë në pyetje unë vajzën apo me sjellë në stacion. Pasi e ndërpreu më tha mua nëse doja të shkoja në stacion të qëndroja rreth katër orë aty e të m’i thërrisnin prindërit. Unë i thash më mirë me merr në pyetje ti e po shkojë në shtëpi”.

Pas këtij momenti i njëjtë e ka ngacmuar seksualisht.

“Pyetjet që filloi të m’i bënte ishin të çuditshme, njëra ndër to ishte: kur ke pas marrëdhënie seksuale për herë të fundit, pyetje palidhje. Më pas më detyroi të zbresim poshtë në një bodrum. Aty filloi të më ngacmonte seksualisht, unë rezistova ndërsa ai nisi të bërtiste. I thash se tani dua të shkojë në polici, ai u tërhoq dhe dolëm në katin e dytë. Më përcolli deri tek semaforët dhe më tha shko në shtëpi dhe mos dil më. Nga aty nuk e kam parë më. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 minuta”, përfundon rrëfimin ajo.

Insajderi rreth kësaj ngjarjeje i ka shkruar edhe Policisë. Të njëjtit kanë thënë se ky rast është raportuar dhe se kanë nisur hetimet.

“Të hënën rreth orës 17:00 në Stacionin Policor Jugu Prishtinë është raportuar rasti ‘Ngacmim Seksual”  dhe ‘Mashtrim’. Lidhur me këtë rast, hetuesit policor në koordinim me Prokurorinë e shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Gazeta e ka pyetur Policinë, edhe nëse i dyshuari është pjesë e strukturave të tyre, por ende nuk ka marrë një përgjigje.