UFC

McGregori thotë se Khabibi e kishte mposhtur me meritë

Ylli i arteve marciale, Conor McGregor, ka pranuar se nuk ishte i përgatitur mirë në meçin që e humbi ndaj Khabib Nurmagomedovit në UFC 229.

Irlandezi u dorëzua në raundin e katërt në rikthimin e tij në oktogon pas 693 ditësh mungesë. Në një analizë në Instagram, McGregor ka thënë se ka bërë gabime në kohën vendimtare dhe se fitorja e Khabibit ishte e drejtë dhe e merituar.

Edhe pse rusi ka mohuar se do të ketë rimeç me McGregorin, irlandezi ka thënë se do të kthehet me vetëbesim të lartë dhe do të jetë i gatshëm për përballjen e ardhshme.

“Nëse s’ka rimeç, s’ka problem. Do të përballem me tjetrin në radhë”, ka shkruar ai.

Sa i përket analizave për çdo raund, McGregor ka thënë se ka bërë gabime të panevojshme, ndërsa për raundin e dytë ka vlerësuar se ishte më i dobëti në karrierë. Ai ka thënë se e ka fituar raundin e tretë, por nuk kishte arritur të rikuperohej tërësisht në të katërtin. Për momentin e dorëzimit, McGregor ka thënë se kishte bërë gabim fatal duke ia kthyer shpinën kundërshtarit. “Më mposhti pastër”, ka shkruar më tej ai.