McBurnie, sulmuesi me stil të veçantë
Ka shënuar katër gola këtë edicion në Championship, por sulmuesi Oli McBurnie ka dëgjuar vetëm fjalët “stili yt i lojës”. Ai thotë se në momentin që del në fushë, kundërshtarët e nënvlerësojnë, fillimisht për shkak të peshës së tij dhe pastaj për stilin që e ka.
“Avantazhi im është sepse vazhdimisht nënvlerësohem nga kundërshtarët”, thotë me buzë në gaz skocezi 22-vjeçar, i cili është pjesë e Swansea Cityt.
Për ata që nuk e njohin sulmuesin McBurnie, ai është një karakter shumë interesant i botës së futbollit. Ai luan me fanellën jashtë, me çorape të shkurtra dhe me mbrojtëset më të vogla të mundshme për këmbë. Mbrojtëset thotë se nuk i shërbejnë për asnjë qëllim tjetër, veçse të jetë në përputhje me rregullat që kërkohen.
“Mbrojtëset i kam të fëmijëve, pra të vogla, për shkak se unë mbaj më të voglat të mundshme që mund t’i gjej. Në stërvitje kurrë nuk mbaj mbrojtëse, por në ndeshje jam i detyruar t’i mbaj, për shkak se e kërkojnë rregullat”, shpjegon McBurnie.
McBurnie nuk ndalet me kaq. Ai zbulon se luan me çorape të përditshme, por që nuk i vërehen për shkak se i ka të mbuluara më ato të klubit.
“Unë i vesh këto çorape për ndeshje”, thotë McBurnie, duke treguar çorapet e bardha që i ka të mbathura. “E di që kjo mund të tingëllojë shumë e çuditshme, por çorapet e gjata të futbollit nuk më bëjnë të ndihem mirë. Kështu që unë i kam prerë ato për t’i mbuluar çorapet e përditshme të shkurtra dhe me to luaj”, shprehet McBurnie, duke shtuar se është shumë i përpiktë sa u përket këtyre gjërave. Kodin mjaft të pazakontë të veshjes në ndeshje, McBurnie e shpjegon se e ka si pasojë e besëtytnisë që ka krijuar derisa luante te skuadra e Chesterit. Ai tregon se në dy ndeshjet e para nuk shënoi me fanellën e Chesterit, por pasi uli çorapet nisi të shënojë.
“Ishte ndeshja e tretë dhe fusha shumë e papërshtatshme, kështu që për një moment vendosa për të ulur çorapet poshtë që të ndihem më mirë. Vetëm pak minuta më vonë shënova golin tim të parë si profesionist dhe prej asaj dite më nuk i mbaj çorapet e gjata”, thotë McBurnie.
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2015, dhe në verën e këtij viti ai iu bashkua Swanseat. Sa i përket fanellës, McBurnie gjithmonë e nxjerr jashtë. Ai insiston se kjo është mënyra e tij dhe se të gjithë habiten me të. McBurnie edhe në stërvitje u përmbahet rregullave të njëjta.
“Nuk dua ta fus fanellën brenda e as t’i tërheq çorapet lart, sepse në momentin që do ta bëj këtë, unë nuk do të arrij të shënoj gola. Ky është kodi dhe stili im. Ndoshta për këtë arsye jam edhe më i veçantë se të tjerët”, shprehet McBurnie, që te cilado skuadër që ka luajtur ka bartur fanellën me numrin nëntë. “Këtë numër e kam dashur prej fëmijërisë dhe kërkesa ime e parë kur kontaktohem prej ndonjë klubi është që të më rezervohet numri nëntë”.
McBurnie këtë vit ka debutuar edhe me Përfaqësuesen A të Skocisë për të cilën ka regjistruar katër paraqitje. Edhe te Skocia, McBurnie bart fanellën me numrin nëntë.
McBurnie prej vitit 2013 ka luajtur në kategoritë e ulëta të Anglisë, duke bërë karrierë edhe te Bradfordi, Newporti, Bristoli e Barnsley.
“Ëndrra ime është që të luaj në Premier League dhe besoj se me stilin tim do t’i bëj të gjithë për vete”, shton McBurnie.