Mbyllja e padiskutueshme, këto janë masat e reja që pritet të miratohen sot në Qeveri

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot në orën 15:00. Temë diskutimi do të jenë masat e reja anti-Covid, të cilat ditë më parë janë propozuar nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Ai ka pasur takime me Shoqatën e Gastronomëve, Odën Ekonomike dhe kryetarët e komunave, për të diskutuar rreth këtyre masave të reja. Mbyllja për 12 ditë e propozuar nga Vitia, nuk ka gjetur përkrahje në asnjërin takim, por sipas tij, kjo është e padiskutueshme.

Vetëm javën që lamë pas, në vend janë shënuar mbi 5 mijë e 674 raste të reja me koronavirus, derisa 75 përsona kanë vdekur si pasojë e infektimit.

Me rritjen e numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve si pasojë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të institucioneve tjera shëndetësore, ka marrë vendim që të ketë masa më strikte, për të parandaluar shpërthim edhe më të madh të infeksionit.

Është propozuar mbyllja për 12 ditë e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave e shkollave.

Po ashtu, lëvizja e qytetarëve është propozuar të lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

Marketet, furrat dhe barnatoret do të lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

E këto masa do të diskutohen sot në mbledhjen e Qeverisë në orën 15:00, ku pritet të merret vendimi për miratimin e tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar për Express se gjatë ditës do të dalë njoftimi për masat e reja.

“Për masat gjatë ditës ju njoftojnë kurdo që merret ndonjë vendim”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq në takimet që ka pasur me Shoqatën e Gastronomëve, Odën Ekonomike dhe kryetarët e komunave të vendit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se dnër masat që do të merren është edhe mbyllja për 12 ditë e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollave.

Por, mbyllja nuk po përkrahet as nga bizneset e as nga kryetarët e komunave.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në takimin me Vitinë, ka kundërshtuar mbylljen, pasi sipas tij kjo nuk është zgjidhje.

Por, Rukiqi thotë se ministri i Shëndetësisë ka qenë i vendosur që të ketë mbyllje për 12 ditë, madje sipas tij, kjo është e padiskutueshme.

“Ne e kemi shprehë kundërshtimin tonë. Vazhdimisht kemi qenë kundër mbylljes, sepse kjo nuk është zgjidhje. Kemi propozuar kufizime në orar dhe zbatim më të mirë të masave aktuale. Ministri i Shëndetësisë ka qenë i vendosur që të ketë mbyllje për 12 ditë. Kemi propozuar që të ketë kufizime por jo mbyllje, por ky propozim nuk ka hasur në mirëkuptimin e ministrit të Shëndetësisë. Kemi kërkuar të na tregojë çka është e diskutueshme e çka jo, ideja e mbylljes ka qenë e padiskutueshme. Ministri ka qenë i shqetësuar se menaxhimi i pandemisë mund të dalë jashtë kontrollit, për shkak edhe të kapaciteteve në spitale, pra s’e ka lënë hapësirën të diskutohet fare pjesa e mbylljes”, ka deklaruar Rukiqi.

Rukiqi deklaroi se në takimin me ministrin e Shëndetësisë ku ishin edhe ai i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, është dhënë zotimi se bizneset do të përkrahen financiarisht gjatë mbylljes.

“Ministri i Financave ka thënë se krahas mbylljes do të ketë edhe ëprkrahje financiare. Po e presim mbledhjen e Qeverisë për të parë çfarë po vendoset, ne s’jemi pajtuar me masat, por në fund vendimi merret nga Qeveria. S’ka pasur gatishmëri për mirëkuptim për alternativa tjera, nëse s’ka vullnet as për mbështetje financiare dhe strategji më afatgjatë që s’i prek bizneset, pra çka do të bëhet pas 12 ditëve, por edhe për muajt e ardhshëm, sigurisht se bizneset do t’i shfaqin pakënaqësitë përmes protestave”, ka thënë Rukiqi.

Ai tha se nga Shoqata e Gatronomëve dhe Oda Ekonomike është porpozuar që të lejohen shërbimet me dërgesë (delivery) dhe “merr me vete”.

“Kemi propozuar që shërbimet me dërgesë dhe “merr me vete” të lejohen, s’është që e lehtëson shumë gjendjen, por të paktën krijon njëfarë qarkullimi. Në variantin fillestar nuk kanë qenë të përfshiera, por në përfundim të takimit ministri e ka marrë përsipër që ta shqyrtojë. Jam optimist që do të lejohen këto shërbime”, deklaroi Rukiqi.

Rukiqi thotë se Qeveria duhet të ketë një plan më afatgjatë, sidomos për muajt e ardhshëm kur fillon sezoni veror dhe vendet fqinje lehtësojnë masat. Ai thotë se të njëjtën duhet ta bëjë edhe Kosova, pasi nëse në vend ka masa shtrënguese, qytetarët do të dalin jashtë kufijve dhe ekonomia kështu do të dobësohet edhe më shumë.  

“E kuptojmë se duhet të ulet numri i rasteve dhe vdekjeve, por Qeveria duhet të fokusohet të ketë një plan më afatgjatë për të dalë nga pandemia, dhe kjo mund të bëhet vetëm me vaksinim.  Do të insistojmë që të ketë një qartësi apo plan më të detajuar për muajt e ardhshëm, sepse gjatë muajve të verës presim hapje të plotë. Pasi vendet e rajonit kanë planifikuar hapjen gjatë verës, rrezikojmë që mjetet financiare të shkojnë në ato vende nëse ato hapen e ne jo”, ka deklaruar Rukiqi.

Rukiqi ka deklaruar se në mbledhjen me ministrat, nuk është përmendur mbyllja e kufijve.

Ndryshe, kundër mbylljes së propozuar nga ministri Vitia kanë dalë edhe disa nga komunat e vendit.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka deklaruar për Express se kjo mbyllje do ta dëmtojë rëndë ekonominë.

“Nuk e përkrahi mbylljen, përkundër qëllimit të mirë shëndetësor, sepse kjo mbyllje do të dëmtojë rëndë ekonominë. Është po ashtu e padrejtë edhe ndaj komunitetit islam mbyllja dhe pamundësimi i aktiviteteve fetare në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe Komuna e Gjilanit ka kundërshtuar mbylljen e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli.

“E kemi kundërshtuar edhe mbylljen totale. I kemi aprovuar disa masa, siç janë kontrollimi më i rreptë nëpër hyrje-dalje, por në asnjë mënyrë mbylljen e gastronomisë dhe bizneseve tjera sepse pandemia ka shkaktu dëme të mëdha. Ne ia sqaruam se nuk është mirë të mbyllen bizneset, ka thënë se me gastronomët është shikuar mundësia e subvencionimit, por në emër të gastronomëve kam thënë që s’jemi dakord me mbyllje”, ka deklaruar Ismajli.