E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe kanë reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për të mbyllur katër objekte komunale paralele në fshatin Vranisht të Komunës së Dragashit, duke thënë se ky hap i radhës shërben për “frikësimin dhe dëbimin e punëtorëve nga vendet e tyre të punës”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se objektet komunale paralele kanë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

Sipas të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ky vendim ka ardhur “pa asnjë arsye e shpjegim”.

“Ngacmimi dhe frikësimi brutal i popullit të Dragashit është një plan i poshtër i Kurtit me qëllim të persekutimit të njerëzve që jetojnë atje”, ka pretenduar kjo e ashtuquajtura zyre.

Ndaj vendimit ka reaguar edhe Lista Serbe duke pretenduar se Qeveria e Kosovës po bën gjithçka që është e mundur për t’i ikur dialogut.

“Kurti beson se me spastrimin etnik të Kosovës do të ketë sukses në zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe problemeve”.

Ndryshe ministri Krasniqi ka potencuar se aktivitetit të strukturave paralele serbe po i vije fundi.

“Këto objekte nuk mund të ekzistojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komuna të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe ky objekt sikurse objektet e tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, shtoi ai.

Vendimi i sotëm vjen një ditë pasi autoritetet kosovare hoqën një bilbord në Zveçan, me fotografi të personaliteteve të ndryshme – përfshirë presidentin e Serbisë dhe atë të Rusisë – me arsyetimin se nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës.

VIDEO BONUS: Sveçla: Dje ne Zveçan e sot në Dragash jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Kosovës