Është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit.
Kështu ka konfirmuar për Ballkani.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, i cili tha se policët janë duke orientuar komunikacionin në Brezovicë.
“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të borës që ka mbuluar atë zonë, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, ndërsa është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve. Policia e stacionit të Shtërpcës dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit është në Brezovicë dhe po orienton komunikacionin”, theksoi ai.
Gjithashtu, Veseli tha se janë njoftuar nga zyrtarët e Qendrës së Skijimit se sot nuk ka kushte për skijim.
Ndryshe, Brezovica.info më herët njoftoi se bora ka arritur deri 1 metër.
“Pas reshjeve të mëdha të borës në Qendrën e Skijimit në Brezovicë është shumë keq, ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar. Rekomandim që komuniteti i skijimit të mos vjen sot në Brezovicë”, bëhet e ditur në njoftim.
Në pamjet që janë publikuar shihet se disa vetura kanë mbetur të bllokuara.
VIDEO BONUS: Viset malore mbulohen nga bora e dendur, kamionët për pastrim aktivizohen







