Mbyllet një qendër masazhi në Prishtinë, e kishte larguar shiritin e vendosur nga Inspekcionit

Bizneset afariste të cilat veprojnë në Kosovë me dokumentacione të parregullta, kohëve të fundit janë bërë problem shqetësues.

Në Prishtinë, për ndalimin e kësaj veprimtarie u ndërmorrën hapa të shumtë nga Inspekcioni Komunal dhe Policia e Kosovës.

Një gjë të tillë po e thotë edhe zëdhënësi i ri i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se Inspekcioni do të vazhdojë gjobitjen e këtyre bizneseve.

Rasti i fundit ka qenë i një qendre të masazhës, e cila ishte mbyllur nga Inspekcioni përkohësisht, por pronarët e saj e kishin larguar shiritin e Inspekcionit nga lokali dhe kishin vazhduar punën përkundër paralajmërimit nga Inspekcioni, transmeton Ballkani.info.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka bërë të ditur se këtij biznesi i është shqiptuar gjobë prej 1000 eurove si dhe ka njoftuar se ndaj personave përgjegjës do të bëhet kallëzim penal për heqjen e bllombës.

Në fund, Tahiri ka thënë se lokali është mbyllur përsëri. /Ballkani.info