Mbyllen shkollat, shtohet numri i adoleshenteve shtatzëna

Organizatat joqeveritare që merren me shëndetin priprodhues kanë thënë se masat izoluese në mbarë botën mund ta rrisin numrin e adoleshenteve shtatzëna.

Në qytezën e skajshme veriore të Kenisë, Lodëar, numri i adoleshenteve shtatzëna në mesin e personave që kërkojnë ndihmë nga organizata “International Rescue Committee” pothuajse u trefishua nga qershori në gusht të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në kampin e refugjatëve në Kakuma, që ndodhet afër, numri i adoleshenteve shtatzëna u rrit për 51 nga marsi në gusht, krahasuar me shifrën prej 15 shtatzënash më shumë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ekspertët thonë se numri i adoleshenteve shtatzëna mund të jetë më i lartë, sepse disa prej tyre mund të jenë duke e shmangur vizitën te mjeku.

“Ne e dimë që vajzat e reja që mbeten shtatzëna nuk marrin qasje në shërbimet shëndetësore si gratë e rritura për shkak të paragjykimit”, tha Ademola Olajide, përfaqësues i Fondit të Popullsisë në Keni, që është organ i Kombeve të Bashkuara.

Ai shtoi se ky fakt i bën adoleshentët shtatzëna më të rrezikuara nga ndërlikimet shëndetësore dhe abortet e pasigurta.

Në nivel botëror, shtatzënia dhe lindja e foshnjave janë shkaktarët kryesorë të vdekjes së vajzave nga mosha 15 deri në 19-vjeçare, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.