Mbrojtja e Thaçit kërkon leje të apelojë vendimin për mocionet që pretendojnë defekte në formë të aktakuzës

Mbrojtja e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, i është kundërpërgjigjur Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe ka kërkuar nga gjyqtari paraprak, Nicolas Guillou, që t’i lejohet certifikimi për të apeluar vendimin për mocionet që pretendojnë defekte në formë të aktakuzës.

Në shkresën e mbrojtjes thuhet se ZPS gabimisht parashtron se mbrojtja nuk ka arritur të identifikojë se si dështimi i gjyqtarit paraprak për zbatimin e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës në aktakuzë do të “promovonte një gjykim të drejtë”, ose “do të ndikonte në rezultatin e çështjes”.

Tutje, thuhet se deklarata e ZPS -së se, redaktimet janë “të vogla në krahasim me tërësinë e aktakuzës dhe për këtë arsye nuk mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në procedurat”, është i gabuar.

Sipas mbrojtjes, nuk është numri i redaktimeve që do të përcaktojë rëndësinë e tyre, por natyra e informacionit të redaktuar. E njëjta ka konsideruar se Thaçi ka të drejtë të dijë çështjen kundër tij.

“Parashtrimet e ZPS -së se aktakuza jep njoftim adekuat për: identitetin e anëtarëve të supozuar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale; kontributet e Thaçit në ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe si ndihmës dhe përkrahës, sjelljen e vartësve të Thaçit dhe çështjet në 9-15, dhe për këtë arsye, ato më shumë detaje nuk do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave, duke u barazuar me argumentet në themel. Pavarësisht nëse Aktakuza jep njoftim të mjaftueshëm në këto fusha është pikërisht ajo që Kolegji i Apelit do të marrë parasysh nëse apeli lejohet”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Në shkresë thuhet se ZPS-ja në mënyrë të gabuar thotë se çështja e shtatë nuk është çështje e apelueshme.

“Mbrojtja deklaroi qartë se çështja 7 ishte të marrë në konsideratë nëse ndihma dhe mbështetja në mënyrë defektive u deklarua në paragrafin 48 të Aktakuzës. Mbrojtjes nuk i kërkohet të ri-deklarojë paragrafët e Mocionit të saj Paraprak që përcaktojnë sfidën origjinale, por përkundrazi te identifikoje një çështje qe buron nga vendimi, gjë që ka ndodhur”, thuhet në shkresën në fjalë.

Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /betimipërdrejtësi