Mbrojtja e Ivan Todosijeviq parashtron kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit me burgim efektiv prej dy vitesh

Prishtinë – Mbrojtja e deputetit Ivan Todosijeviq ka parashtruar në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ndaj vendimit me të cilin ai u dënua me dy vite burgim për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

Zëdhënësja Uka ka bërë të ditur se kërkesa në fjalë është parashtruar të premten, më 17 shtator, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka njoftuar përmes një komunikate për media se deputetit Ivan Todosijeviq i është vërtetuar dënimi me dy vite burgim, për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.

Ndryshe, më 24 gusht “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se deklaratat fyese për masakrën e Reçakut të deputetit aktual të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Teodosjeviq, do t’i kushtojnë atij me humbjen e mandatit të deputetit.

Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga ajo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.