Mbrojtja e Hashim Thaçit dje ka dorëzuar kërkesën që ish-presidenti i Kosovës të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Kështu ka mësuar gazeta Nacionale nga burime të afërta me këto zhvillime.

Sipas burimeve të Nacionales, Gjykata Speciale ende nuk ka kthyer asnjë vendim lidhur me këtë kërkesë.

Pavarësisht se kërkesa është dorëzuar, ajo ende nuk është bërë publike në faqen e Gjykatës Speciale.

Madje, zyra për media e Speciales ka thënë se nuk ka ndonjë kërkesë publike për këtë rast.

“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, ka thënë Michael Doyle për Express.

Arsyeja pse kërkesa nuk është bërë ende publike nuk dihet, megjithatë, burimet e Nacionales thonë se ajo është dorëzuar në kohë, me qëllim që Thaçit t’i lejohet pjesëmarrja në varrim.

Fakti që deri më tash nuk ka përgjigje, kuptohet se Hashim Thaçi nuk do të mund të jetë prezentë në ceremoninë e varrimit që mbahet nga ora 15:00.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në publik.

Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal “të turpshëm dhe të paturpshëm” që, tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.

Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars.

“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”– shkroi Rama.

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, mbetet një nga kritikët më të ashpër të Gjykatës Speciale. Së fundmi, në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai shprehu shqetësimin për trajtimin e Speciales ndaj Thaçit.

Ai e quajti Thaçin “atë themeltar” të shtetësisë së Kosovës duke shtuar se ai “do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave në Hagë.”

“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë festime të gëzueshme dhe të qeta në shtatëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë.

Sidoqoftë, ky hap historik është në hije të një padrejtësie të madhe. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave në Hagë.