Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se Albin Kurti po gënjen që është ngrohur me qebe për të kursyer energjinë elektrike. Kjo pasi sipas tij si për hipjen në xhipat edhe për energjinë elektrike kujdese protokolli i shtetit.

“Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije, por shpresoj kjo pyetja juaj dhe përgjigja ime nuk do të bëjë që nesër deputeti Bekim Haxhiu ta organizojë një konferencë për media”, ka thënë Kurti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një prononcim për Gazetën Metro.

Ai ka thënë se nuk është e vërtetë fare që kryeministri Kurti është mbuluar me qebe.

“Se kryeministri qenka mbuluar me qebe nuk është fare e vërtetë. Ashtu siç e kanë hipur në xhipa, siç thotë Kryeministri Kurti, pa vullnetin e tij, ashtu protokolli i shtetit e siguron agregatin dhe energjinë elektrik, pa e pyetur fare. Me një fjalë, Shteti i Kosovës se len Kryeministrin, me qebe. Mos të rren për këtë”, ka thënë Sherifi.

Ndryshe ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit kanë reaguar shumë qytetarë, por edhe politikanët. Deklaratën e tij e kanë quajtur ironizuese, ndërsa këshillat për ta kursyer energjinë elektrike i kanë quajtur veprime fëmijërore.

Aktualisht Kosova është në krizë energjetike dhe Qeveria nuk ka sjell ende zgjidhje as strategji për qytetarët. Thirrjet e tyre vazhdojnë të jenë që qytetarët të mos ngrohen me rrymë elektrike, madje u këshilluan që as video-lojëra ‘të mos luajnë’.