Mbrëmë 7 raste me koronavirus në Prishtinë, jetojnë në këto lagje

Shtatë rastet e mbrëmshme me koronavirus të cilat u paraqitën mbrëmë në Komunën e Prishtinës janë nga Ulipana, Dardania dhe Kodra e Trimave.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka thënë se të infektuarit janë të vetizoluar në shtëpi.

“Janë në Ulpianë, Dardani dhe në Kodër të Trimave,janë në vetizolim janë në shtëpi të kujdesshëm, kemi kontaktuar dhe do të kontaktojmë sërish”, ka thënë Gashi.

Gjatë natës së mbrëmshme Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bëri të ditur se gjashtë të infektuarit janë raste kontakti.

“Nga 13 raste të reja sot në Kosovë, shtatë në Prishtinë. 6 prej tyre, familjarë të një rasti të djeshëm. Ju lutemi kujdes këto ditë. Së paku maskat janë mbrojtja minimale që duhet të praktikojmë. Vazhdojmë drejt rihapjes së plotë me kujdes”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), ka konfirmuar mbrëmë për 13 raste të reja me koronavirus në gjithë Kosovën prej gjithsej 193 mostrave të marra.

“Më 02 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 193 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 13 raste”, ka njoftuar dje IKShPK.

Kurse janë shëruar katër pacientë, derisa numri i përgjithshme i të shëruarve deri më sot është gjithsej 847 raste.