Mbledhja e dy qeverive, Grubi: Pikë e re kufitare, linjë hekurudhore dhe Port të Thatë

Shqipëria i ka propozuar Maqedonisë së Veriut ndërtimin e një Porti të Thatë në Strugë, që do të lidhet me Portin e Durrësit.

Zv.kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri-RMV tha ky propozim ka qenë nismë e kryeministrit Edi Rama. Ndalur në këtë pikë, ai u shpreh se kjo do të mundësojë qasjen në det të një vendi pa det siç është Maqedonia e Veriut.

“Nuk është tabu që kryeministri të jetë shqiptar, me Shqipërinë nuk kemi asnjë çështje të hapur, por kemi marrëdhënie bilaterale. Formimi i komisionit të përbashkët, që do përcaktojë vendodhjen e rrugëve, llojet e ngarkesave dhe udhëtarëve, ka të bëjë me 2 autostradat tona në Korridorin 8. Anëtarë të këtij Komisioni Ministria e Jashtme, e punës së Brendshme, drejtoria e Doganave. E dyta, hekurudha Shkup-Durrës, dhe e treta që është nismë e Ramës, bëhet fjalë për Portin e Thatë në Strugë, në 3 muaj, palët do bëjnë plan për ndërtimin e këtij porti, falënderoj Ramën, që na mundësoi qasjen e një vendi pa det në portin e Durrësit dhe vetëm në këtë mënyrë zhvillohen marrëdhëniet vëllazërorë”, tha Grubi.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama pati një falenderim për zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin.

” Dua të bëj një falenderim aspak protokollar për zv/kryeministrin e qeverisë tuaj, Artan Grubin, i cili e kryeson këtë proces të përbashkët nga ana juaj dhe besoj është shqiptari më i mirë mes maqedonasve dhe maqedonasi më i mirë mes shqiptarëve. Kështu që për ne është kënaqësi dhe privilegj që të kemi në nivelin e punës së përditshme një partner kaq të besueshëm. Këtë e kisha detyra ta përcillja në emër të gjithë ekipit tim, sepse në nivel përgatitor dhe punës teknike janë ata që kanë mundësi të vlerësojnë punën e Artanit dhe të gjithë skuadrës suaj. Kështu që shumë faleminderit për gjithë përkushtimin në këtë marrëdhënie”, u shpreh Rama.