Mbingarkohet Klinika Emergjente – QKUK thirrje qytetarëve që të mos marrin rrugë për çfarëdo rasti, përveç atyre urgjente

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar në Kosovë ka njoftuar se është mbingarkuar Klinika Emergjente.

Bazuar në raportin 2-javor të kësaj klinike, ka pasur 3790 raste që kanë marrë trajtim spitalor, në shërbime të ndryshme, reanimim, degët, internistike, kirurgjike, ortopedike, përfshirë edhe aksidentet në trafik, rastet e plagosjeve dhe të tjera.

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mbetet klinika më e mbingarkuar në tërë sistemin shëndetësor në vend.

“Poashtu, për këtë periudhë kohore janë kryer 66 operacione të ndryshme kirurgjike. Klinika Emergjente apelon tek të gjithë qyetarët e Republikës së Kosovës të respektojnë sistemin e referimit, fillimisht të lajmërohen tek mjeku familjar, e pastaj tek spitali i përgjithshëm më i afërt, kurse në QKUK të drejtohen vetëm në raste emergjente”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.