Mbikëqyrësit që shkelën rregullat e Testit të Maturës do të gjobiten deri në 3 mijë euro

Mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në 77 qendra të testimit në gjithë vendin.

Ministria njofton se në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi dy mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues dhe të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa të rrepta si ndaj administrueseve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

Në kumtesën e MASHTI-it thuhet se të gjithë mbikëqyrësit e testit që kanë shkelur rregullat mund të ndëshkohen deri në 500 euro ndërkaq të njëjtit që kanë zbuluar sekretet e testimit mund të ndëshkohen deri në 3 mijë euro.

“Anëtarët e Komisioneve në qendrat e testimit, administruesit, mbikëqyrësit dhe vëzhguesit e Provimit të Maturës që kanë shkelur rregullat e administrimit të testit do të ndëshkohen për kundërvajtje në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, po të njejtit të cilët kanë zbuluar sekretet e testit do të ndëshkohen me gjobë në të holla prej 1000 deri në 3000 euro, si dhe me masa disiplinore dhe penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Po ashtu MASHTI bën të ditur se secilit nxënës që i është zënë telefoni është larguar nga procesi i testimit dhe i është anuluar provimi i maturës shtetërore teksa rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik.