Pandemia

Mbi tre milionë të vdekur nga COVID-19, bota përballet me shtim të rasteve

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 në botë, sipas përllogaritjeve më të fundit, ka kaluar të martën tre-milionëshin, teksa ngritja e rasteve të infeksionit ka vënë në dyshim përpjekjet globale për vaksinim. Shifrat globale të të vdekurve janë rritur së fundi sidomos në Brazil dhe Indi.

Për këtë, zyrtarët shëndetësorë kanë fajësuar variantet e reja, më infektuese të koronavirusit, që janë zbuluar fillimisht në Britaninë e Madhe dhe në Afrikën e Jugut, por edhe lodhjen e qytetarëve nga izolimet dhe kufizimet e tjera. Brazili është shteti me mesataren më të lartë të vdekjeve të reja, duke e përbërë çdo të katërtin rast të vdekjes në të gjithë botën.

Në anën tjetër, India ka raportuar 446 vdekje në 24 orët e fundit, teksa ka diagnostikuar edhe mbi 96 mijë të infektuar të rinj gjatë së martës, kanë treguar të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kontinenti evropian, që përbëhet nga 51 shtete, ka aktualisht numrin më të lartë të përgjithshëm të vdekjeve, me afro 1.1 milionë fatalitete. Pesë shtete evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë, Francën, Italinë dhe Gjermaninë, numërojnë rreth 60 përqindëshin e bilancit total të vdekjeve shkaku i koronavirusit.