MPB

Mbi një mijë e 500 qytetarë serbë janë pajisur me patentë shoferë të Kosovës

Një mijë e 560 qytetarë serbë janë pajisur me patentë shoferët nga ata ilegalë për në RKS, prejse Ministria e Punëve të Brendshme më 7 maj mori vendim që t’ua mundësojë ndërrimin e tyre.

Ndërsa vetëm në katër komunat veriore sipas të dhënave të policisë është bërë konvertimi i një mijë e 272 patentë shoferëve.

Sipas komunave, në Mitrovicën e Veriut janë bërë 429, në Leposaviq 386, në Zubin Potok 223 dhe në Zveçan 234, raporton teve1.info

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se procesi i konvertimit të patentë shoferëve po shkon mirë dhe se ka interesim nga qytetarët.
Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës njoftoi se MPB nxori vendim që u mundëson qytetarëve të konvertojnë patentë-shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Më 7 maj, MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë-shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.

Ky vendim do të jetë i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.