Mbi 900 biznese përfituese të Fondit për Garanci Kreditore

Janë 941 biznese të cilat kanë përfirtuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore të lëshuara nga Institucionet Financiare në vend.

Më së shumti përfitues të këtij fondi ishin bizneset që merren me tregti me shumicë dhe pakicë të përcjellura nga bizneset që merren me sektorin e shërbimeve dhe prodhimtaria.

Aktualisht Fondi ka arritur që të ndërmjetësojë kredi në mes të bizneseve dhe bankave  në vlerë prej 67.1 milion euro, shkruan EkonomiaSot.

“FKGK-ja gjer më sot, ndërmjetësoi në kredidhënien me vlerë prej 67.1 mil. eurosh për 1,732 NMVM, të mbështetur nga një shumë garancie prej 32 mil. eurosh. Vlera totale e mbetur e portofolit të kredive të miratuara për garanci është 48.6 mil. euro , përderisa vlera totale e mbetur e portofolit të garantuar është 23.1 mil. Euro”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim nga ky fond.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të).

FKGK është themeluar nga Qeveria e Kosovës në janar të vitit 2016, bazuar ne Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Qëllimi i FKGK-së është të përkrahë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të, duke mundësuar kështu edhe krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.