Zgjedhjet

Mbi 80 mijë qytetarë s’votuan për president, por vetëm për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Në votimet e së mërkurës, jo të gjithë qytetarët votuan si për presidentin ashtu edhe për përbërjen e re të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut. Mbi 80 mijë është dallimi i qytetarëve që zgjodhën të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, krahasuar me ato presidenciale

Interesim të njëjtë të qytetarëve nuk ngjallën dy proceset zgjedhore që të mërkurën u mbajtën në Maqedoni të Veriut.

Për mbi 80 mijë qytetarë është dallimi mes atyre që zgjodhën të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, krahasuar me ato presidenciale.

Derisa përqindja e përgjithshme e daljes në vendvotime deri në orës 15 sillej në rreth 30 për qind, kanë qenë shqiptarët ata që e bojkotuan zgjedhjen e presidentit.

Thirrje për të marrë pjesë në të dyja proceset bënë liderët shtetërorë.

Zgjedhjet e dyfishta shkaktuan dilema te kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai fillimisht debatoi me zyrtarë në qendrën ku votoi, dhe konfirmoi pjesëmarrjen për zgjedhjet parlamentare.

Por më pas ndryshoi mendje dhe votën e hodhi në të dy kutitë, atë për president dhe për Kuvend.

Ndryshe prej tij, për president nuk votoi bashkëshortja e tij. Pas votimit, Ahmeti tha se pret që procesi të pranohet nga palët e që të mos devijohet nga kursi euroatlantik.

Një paralajmërim e pati edhe për koalicionin që mbështetet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Raundi i dytë i garës për president u zhvillua mes partive maqedonase derisa për zgjedhjet parlamentare qytetarët patën mundësi të zgjedhin mes 17 partive e koalicioneve. Në të dy proceset zgjedhore, të drejtë vote patën mbi 1 milion e 810 mijë qytetarë.