Mbi 4 mijë lindje u kryen në Gjinekologjinë e QKUK-së në 6 mujorin e parë të këtij viti

Nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të muajit qershor në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK janë kryer gjithsej 4 mijë e 371 lindje.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismajli, i cili tha 19 prej shtatëzënave që kanë kryer lindjen kanë qenë të infektuara me koronavirus.

“Që nga 1 janari e deri më sot kanë qenë 4 mijë e 371 lindje. Numri i shtatëzënave të verifikuara me COVID-19 ka qenë 19. Ka pasur numër më të madh të shtatëzënave të cilat kanë lindur, ndërsa në momentin kur ka përfunduar lindja e kanë kaluar COVID-19”, tha ai.

Në këtë periudhë sipas tij, për shkak se është ndërprerë puna e reparteve në Ferizaj dhe Vushtrri, kanë pasur një fluks të madh të pacienteve.

Por, sipas drejtorit, me një angazhim të stafit të kësaj klinike, ia kanë dalë që ta menaxhojnë situatën pa asnjë problem, raporton EO.

“Disa spitale regjionale kanë ndërprerë aktivitetet, psh ai i Ferizajt dhe i Vushtrrisë, për këtë arsye kemi një fluks më të madh të pacientëve edhe nga regjionet…Duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve dhe mjekëve, sepse Klinika e Gjinekologjisë i ka 300 punëtorë shëndetësorë, mund të them që ia kemi dalë të mbrohemi nga koronavirusi”.