Mbi 300 të vaksinuar në Mitrovicë deri tash, në dispozicion edhe 400 vaksina të tjera

Drejtoresha e shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Berani, ka thënë se në këtë komuna janë furnizuar me mbi 700 vaksina për COVID-19 dhe se janë vaksinuar deri tash mbi 170 punonjës shëndetësorë.

“Personeli shëndetësorë ka filluar të vaksinohet qysh nga informatat e para nga MSH-ja, me instruksionet e tyre deri sot janë vaksinuar 177 nga personeli shëndetësorë dhe 128 persona të moshuar në Mitrovicë. Ne jemi furnizuar me 750 vaksina ndërsa momentalisht i kemi edhe 400 vaksina”, tha ajo në Express Intervistë.

Hasanaj-Erseka ka thënë se situata me koronavirusin është pothuajse njëjtë nëpër komuna, porse ka shtuar se vetëdijesimi i qytetarëve dhe kontrolli i shtuar i Policisë së Kosovës ka qenë faktor që në Mitrovicë të mos jetë gjendja e rënduar.

“Sa i përket gjendjes aktuale, nuk ndryshon shumë nga komunat tjera sepse natyra e virusit është asisoj. Falë vetëdijesimit të qytetarëve, angazhimit të madh të Policisë së Kosovës dhe inspektorëve, është ngritur vetëdijesimi dhe secili po mundohet të ndikoj në ruajtjen e shëndetit publik”.

Ajo e quajti fat të mirë që tashmë mostrat e testimi kryhet në Mitrovicë pa pasur nevojë të dërgohen në Prishtinë, IKSHPK.

“Zhvillohet rreth 250-300 teste në ditë. Këto teste kryhen nga IKSHPK, mostra merret në Mitrovicë dhe testet kryhen në Mitrovicë, pra nuk shkojnë në Prishtinë sepse është një qendër këtu. Shumë shpejt QKMF-ja do fillojë edhe me teste rapide që do jenë në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Hasanaj-Erseka ka treguar se nëpër qendrat e mjekësisë familjare në komunë po mungojnë mjekët familjarë dhe se për këtë po tentojnë të zhvillojnë konkurse të reja për rekrutim.

“Në kujdesin parësor problem që është paraqitë tash është mungesa e mjekëve familjarë për shkak të specializimeve të mjekëve. Jemi në mungesë dhe në dy muaj 22 mjejë familjarë kanë shkëputur kontratat me QMF-të. Si kujdes parësor kemi 24 qendra që i menaxhojmë dhe japim shërbime shëndetësore, kështu që është bërë problem mbulimi me mjekë familjarë”, tha ajo.