18 milionë e 400 mijë euro është vlera e tenderit që ka hapur Komuna e Prishtinës për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. Tashmë komuna e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, ka dorëzuar njoftimin paraprak për kontratë. Çka thoshte kryetari Rama për këtë shesh?
Komuna e Prishtinës ka filluar me procedurat e prokurimit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Vlera e parashikuar e kontratë është e jashtëzakonshme. 18 milionë e 400 mijë euro janë parapararë për ndërtimin e këtij sheshi.
Lloji i procedurës është i hapur dhe kriteri për dhënien kontratës është “tenderi ekonomikisht më i favorshëm”.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është më 6 shtator deri në ora 14:00.
Sipas dosjes së tenderit, punimet për ndërtimin e këtij sheshi duhet të përfundojnë brenda 540 ditëve të punës.
Gjithashtu, operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të punëve të ngjashme në 3 (tri) vitet e fundit para publikimit të Njoftimit për Kontratë në vlerë jo më pak se 27 milionë e 500 mijë euro.
Përveç kësaj dëshime, operatorit ekonomik duhet t’i plotësojë edhe kërkesat e tjera që janë përcaktuar nga komuna.

Ndërkaq, në Dosjen e Tenderit nuk janë dhënë specifikimet teknike të detyrueshme për shkak të vëllimit të madh të projektit.
“Projektin mund ta tërhiqni përmes CD-së ne zyrën e prokurimit nr.209. Për shkak te vëllimit te madh te projektit nuk kemi mundur ta ngarkojmë ne sistem te e-prokurimit.” – thuhet në Dosjen e Tenderit.
Çka thoshte Përparim Rama?
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas ardhjes në pushtet, rrugën “Xhorxh Bush” e kishte mbyllur për qarkullimin e veturave, përçka ishte pritur me shumë kritika.
E Rama kishte propozuar që rruga “Xhorxh Bush” të bëhet sheshi “Xhorxh Bush”.
Ai në muajin janar 2024 e kishte prezantuar projektin për sheshin “Xhorxh Bush”, duke thënë se po krijohen më shumë hapësira publike e gjelbërim për qytetarët.
Rama thoshte se sheshi do t’ia mundësojë Prishtinës që të marrë frymë.
“Bulevardi i Kryeqytetit, do të shndërrohet në një hapësirë urbane bashkëkohore e cila reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, me shumë gjelbërim dhe ajër të pastër. Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do t’i mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit.” – kishte shkruar Rama në Facebook.
Më tej, ai kishte thënë ky shesh mund të jep hapësira për të gjitha moshat si dhe për artistët, teksa kishte thënë se do të largohet muri te katedralja që është në këtë shesh.
“Bulevardi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një mur të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët.” – përfundonte shkrimi i tij.






