Mbi 11 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë, spitalet drejt limitit të kapaciteteve

Dje në Kosovë janë regjistruar edhe 709 raste të reja me virusin Korona në Kosovë.

Pas këtyre rasteve të reja numri i rasteve aktive ka shkuar në 11 mijë e 379.

Numri total i rasteve pozitive është 79.089 raste nga 366.574 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.731 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 385 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 65.979 raste.

Në anën tjetër ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Klinikën Infektive dhe infektologu, Izet Sadiku ka thënë se kapacitetet spitalore për pacientët me COVID-19 janë duke u mbushur.

Sadiku në T7 thotë se për dy javë është rritur për 300 numri i pacientëve të hospitalizuar në QKUK.

“Kemi pas një rritje këto dy javët e fundit, në fillim të marsit kemi pasur rreth 500 pacientë të hospitalizuar, pra për dy javë ditë u rritën në 800. Kjo tregon që kapacitetet spitalore janë duke u mbushur”, thotë Sadiku.

Ai ka thënë se tash e 5 muaj, Klinika Infektive është e mbushur gjithmonë me pacientë që po trajtohet për COVID-19.