Mbi 100 vetura të vjetra mbesin të ‘paprekura’ në oborrin e Qeverisë

Më shumë se njëqind vetura (kryesisht xhipa) të vjetërsuara kanë mbetur në oborret e Qeverisë së Republikës. Ndonëse ekzekutivi ka autorizuar Ministrinë e Administratës Publike që të njëjtat të shiten, ende nuk është realizuar në plotësi një organizim i tillë.

Kësisoj, në gjitha institucionet e Republikës janë gjithësej njëqind e tetë vetura që s’përdoren fare nga zyrtarët shtetëror.

Të njëjtat janë të vendosura në oborrin e ekzekutivit dhe tek ish-objekti i Rilindjes.

“Nga gjithë Ministritë e Kosovës janë jashtë përdorimit gjithsej 67 vetura. Ndërsa nga Këshilli Gjyqësor  janë afro tridhjetë vetura”, ka konfirmuar për “Indeksonline” Ebru Zborça, këshilltare në Ministrinë e Administratë Publike.

“Me vendim të Qeverisë me nr. 03/13  datë: 12.02.2015 Autorizohet Ministria e Administratës Publike për organizimin e shitjes së automjeteve përmesë ankandit, si rrjedhojë MAP, ka zhvilluar procedurat për realizimin e ankandit dhe janë në procedurë të shitjes këto automjete të cilat kanë qenë të vendosura në autoparkun e ish Rilindjes”, është shprehur ajo.