Mbi 100 të infektuar me koronavirus në Itali, shumë qytete në karantinë

Numri i rasteve me koronavirus në Itali ka vazhduar të rritet të dielen, teksa qeveria e këtij shteti ka miratuar një numër masash emergjente, për ta kufizuar përhapjen në shtetin më të prekur në Evropës.

Kryebashkiaku i Lombardisë në veri të Italisë, Attilio Fontana ka thënë se rastet e konfirmuara me koronavirus janë rritur në 89, nga 54 sa ishin një ditë më parë, duke e ngritur në 100 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në tërë shtetin.

Përmes një dekreti emergjent, të miratuar të shtunën mbrëmë, Qeveria në Itali ka marrë kompetenca speciale, për t’ua ndaluar qytetarëve të largohen apo të hyjnë prej zonave më të prekura, duke i vënë ato në esencë në karantinë. Masat kanë hyrë në fuqi vetëm disa orë pasi që dy persona vdiqën nga virusi, në Veri të Italisë, raporton “Reuters”, transmeton Koha.net.

Një zëdhënës i kryebashkiakut të rajonit verior të Venetos ka deklaruar të dielen se numri i rasteve në zonën e tij është ngritur në 19, shtatë më shumë sesa të shtunën.

Ngjarjet sportive në këto rajone janë anuluar, përfshirë tri ndeshje të “Serie A”.