Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo ĐA”, në RKS.

Nga Policia e Kosovës është thënë se ashtu siç parashihej me vendimin zyrtar nga data 1 nëntor, pronarëve të automjeteve që kanë qarkulluar me targa ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrim të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot në mesditë janë shqiptuar rreth 1 mijë e 740 qortime.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”,thuhet nga policia.

Policia e Kosovës thuhet se në vazhdimësi ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet në vend duke bërë vlerësime profesionale konform të cilave janë ndërmarrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Ndryshe prej  22 nëntorit parashihet që të vazhdohet me masën e shqiptimit të gjobave prej 150 euro, për të gjithë ata që nuk kanë ri-regjistruar veturat e tyre nga targat ilegale në RKS.

Po ashtu nesër në Bruksel pritet që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të takohet me përfaqësuesit e BE-së për dialogun Kosovës-Serbi, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq edhe pse për këtë takim nuk pati një konfirmim zyrtar apo detaje të dhëna nga institucionet në vend.