Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka folur sot rreth shqetësimeve të kësaj Ministrie për peletin që importohet në Kosovë nga vendet fqinje.
E shqetësim të theksuar, kjo Ministri ka shfaqur për peletin që importohet nga Serbia, pasi që sipas tyre ky pelet mund të ketë përbërje të dëmshme.
Ministri Matoshi, në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të shtojë kontrollet në këto produkte dhe të shohin nëse janë në parametrat e lejuar.
“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që të shtojnë kontrollet në këto produkte kur hyjnë në doganë dhe të shohin nëse janë brenda parametrave të lejuar. Në mbledhjen e taskë forcës për ajrin, të mbajtur rreth tri javë më parë, i kemi ngritur këto shqetësime pasi është biseduar se në përbërjen e peletit të ardhur nga Serbia ka gomë dhe plastikë. Ne ende nuk e dimë nëse kjo informatë është e saktë, por kemi kërkuar nga organet kompetente që ta verifikojë këtë informacion”, ka thënë Matoshi për Ballkani.info.
Kujtojmë se interesimi për përdorimin e peletit si lëndë djegëse në zëvendësim të drunjve apo thëngjillit, viteve të fundit është rritur pasi është shitur në treg me çmime të lira në krahasim me lëndët tjera. /Ballkani.info/






