Ministri i Mjedisit

Matoshi: Jam kundër ndryshimit të ligjit që në Kosovë të importohen vetura me të vjetra se 10 vjet

Në një intervistë për Ballkani.info ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka folur për projektin “Prishtina e Re”, për ndërtimet pa leje pranë resorteve turistike, menagjimin e ndotjes së ajrit, për ngrohjen me qymyr, për procedimin në Kuvend të projektligjit i cili lejon futjen e veturave në Kosovë, 15 vjet të vjetra.

Ministri Matoshi ka potencuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse në ndërrmarrjen e veprimeve që ruajnë cilësin e ajrit. Ndërsa duke komentuar rreth vjetërsisë së veturave ministri Matoshi, është shprehur që veturat më të vjetra se dhjetë vjet, nuk duhen të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë.

Përveç këtyre Ballkani.info ka marrë qëndrimet e tij në aspektin politik, meqenëse ka zëra që Kosova, është drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ballkani.info: Zoti minister, ju lutem na shpjegoni idenë e projektit “Prishtina e Re”?

Ministri Matoshi: Projekti i “Prishtinës së Re” i qytetit administrativ është një projekt i Qeverisë së Kosovës, i institucioneve të Kosovës. Qeveria ka ndërmarrë hapin e parë në këtë drejtim, ka shpallë një zonë të interesit të përgjithshëm. Kjo zonë ndodhet në Hajvali, përfshinë Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Graçanicës, një pjesë të saj momentalisht janë 700 hektar tokë të dedikuar për këtë projekt por vetëm njëqind hektar prej tyre mund të përdoren për qytetin administrativ, pjesa tjetër vetëm kërkohet që të ketë një plan rregullues, një plan hapësinor i cili i përshtatet nevojave të qytetit administrativ të Prishtinës. Kjo nënkupton që afër presidencës nuk mund të ketë p.sh., objekte, shtëpia të banimit njëkatëshe apo dykatëshe, por do të përcaktohet saktë se cilat objekte mund të ndërtohen në atë zonë, të çfarë madhësie dhe për çfarë destinimi mund të bëhen objektet. Nuk do të shpronësohen pronat, pronat në të cilën do të ndërtohet qyteti i ri administrativ i Prishtinës janë prona publike, komunale ose që janë nën menagjim të AKP-së për momentin.

Ballkani.info: Çfarë po ndodh me Prevallën, kur dihet që ministri i kaluar, Gashi, e patë nisur procesin e largimit të ndërtimeve pa leje atje?

Ministri Matoshi: Ne, sapo kemi përfunduar procesin e pastrimit përreth liqenit akumulues të Batllavës, kemi larguar 48 objekte, të gjitha këto në pronat e uzurpuara, në pronë të KEK-ut dhe ky proces ka përfunduar mirë në Batllavë. Sa i përket Prevallës, janë edhe rreth 40 objekte të tjera të cilat presin vendimet përfundimtare të gjykatave edhe pas vendimeve përfundimtare të gjykatave, këto objekte do të rrënohen , do të largohen prej aty ku janë. Njëjtë do të veprojmë edhe tek Mirusha, sepse edhe atje ka vendosje të disa objekteve të pa kritere dhe pa lejen ndërtimore nga organet përkatëse, kështu që jemi të angazhuar ti mbrojmë të gjitha zonat e mbrojtura në Republikën e Kosovës.

Ballkani.info: Si do të menaxhohet këtë vit ndotja e ajrit, pasi që dihet se ndotja ka arritur nivelet maksimale në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti?

Ministri Matoshi: Nuk ka arritur ndotja në nivelin maksimal në vitin e kaluar, kjo ndotje ka ekzistuar edhe më herët, i vetmi dallim prej viteve të tjera është që ne këtë nuk ia kemi fshehur qytetarëve të Kosovës dhe nuk ia fshehim prapë. Qytetarët e sidomos ata të Prishtinës, duhet ta dijnë se përballen me një situatë jo të mirë të ajrit, sidmos gjatë periudhës së dimrit për shkak të pozitës gjeografike që ka Prishtina, për shkak të smogut që krijohet mbi Prishtinën dhe qarkullimit të dobët të ajrit përgjatë një periudhe të gjatë kohore, për shkak të termocentralit që kemi afër, për shkak të vjetërsisë së veturave dhe ndotjes që ato shkaktojnë edhe për shkak të përdorimit të thëngjillit për ngrohje. Ne, besojmë që këto janë faktorët kryesor, kemi ndërrmarrë disa masa, i kemi kërkuar ministrit të arsimit të ndërpres përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla. Këtë vendim ministri e ka marrë në korrik të këtij viti, tani jemi në proces të marrjes së vendimit, e kemi dërguar në qeveri, vendim i cili ndalon përdorimin e thëngjillit në të gjitha institucionet publike kudo që janë dhe poashtu jemi të fokusuar edhe kërkojmë për çdo ditë e më tepër, që të shtohet kontrolla e cilësisë së derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë, dhe cilësisë së peletit që hyn në Kosovë. Madje, përveç këtyre kërkojmë që të fillojë zbatimi i udhëzimit administrativ për kontrollin teknik të veturave, për lirimin e gazrave që shaktojnë veturat, momentalisht nuk mund të kontrollohen në kontrollat teknike, kjo do të fillojë të zbatohet edhe besoj që do ta ketë ndikimin e vet pozitiv. Poashtu, krijimi i sa më shumë hapësirave gjelbëruese, ne jemi në hartim të buxhetit për vitin 2019, edhe në kuadër të buxhetit për vitin 2019 të gjtha rreth-rrotullimet do të pajisen me gjelbërim edhe horizontal edhe vertikal, do të ketë sa më shumë edhe parqe në Komunën e Prishtinës, në qytet, që ne do ti mbështesim si ministri edhe krejt kjo do të ketë një ndikim që në të ardhmen ne të kemi një cilësi më të mirë të ajrit por këtë cilësi të ajrit e kemi pas edhe në të kaluarën , veçse njerzitë nuk e kanë pas informatën.

Ballkani.info: A është e mundur të zëvendësohet krejtësisht ngrohja me qymyr?

Ministri Matoshi: Është një projekt i zgjerimit të koegjenerimit të sistemit të nxemjes qëndrore në qytetin e Prishtinës, është një projekt shumë milionësh, ministria e zhvillimit ekonomik po merret me këtë, ministri Lluka po punon për ditë për këtë projekt dhe Prishtina ka nevojë të menjëhershme inmediate që të zgjerojë rrjetin e ngrohjes qëndrore. Kjo pastaj e bën të panevojshëm përdorimin e thëngjillit si lëndë për djegie e ngrohje edhe poashtu këtë vit besoj do të ndërprehet tradita e dhënies së thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut, sepse ai thëngjill pastaj kalon në treg të zi, shitet nëpër rrugë të Prishtinës, përdoret si lëndë për ngrohje dhe ka një ndikim të tmerrshëm në ajër.

Ballkani.info: Është proceduar në Kuvend projektligji që lejon futjen e veturave në Kosovë 15 vjet të vjetra. Si e komentoni këtë dhe a jeni pro që këto vetura të futen në vendin tonë?

Ministri Matoshi: Ne nuk mund të jemi pro vazhdimit të ndotjes së ajrit por për neve është i rëndësishëm kontrolla teknike e automjeteve të bëhet sipas udhëzimit administrativ që tanimë e ka Ministria e Infrastrukturës, në këto kushte në të cilat jemi ne si ministri, jemi përgjegjës për këtë çështje, jemi përgjegjës për të ndërmarrë veprime që ruajnë cilësin e ajrit dhe në kuadër të kësaj është edhe ky vendim për vjetërsin e automjeteve dhe përderisa nuk kemi kontroll të cilësisë së naftës edhe kontroll rigoroze gjatë kontrollit teknik të automjeteve për lirimin e gazrave që shkaktojnë veturat. Ne, jemi kundër që të ndërrohet ky ligj, vazhdojmë të qëndrojmë pranë asaj që veturat më të vjetra se dhjetë vjet, nuk duhen të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Mosha mesatare e veturave në Kosovë, sillet rreth 20 vjet dhe d.m.th., kemi dëme të mëdha të ambientit që shkaktojnë këto vetura që qarkullojnë rrugëve tona.

Ballkani.info: Çfarë po ndodh me ndërtimet pa leje në resortin turistik, Brezovica, pasi që ka shumë ankesa për ndërtime të shumta atje?

Ministri Matoshi: Ne nuk kemi informacione për ndërtime pa leje në Brezovicë. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë edhe për pajisje me leje ndërtimore e ka Komuna e Shtërpcës, që territorialisht ajo pjesë është në kuadër të komunës së Shtërpcës, ne kemi shqetësime, pranojmë shqetësime se atje po jepen shumë leje ndërtimi dhe këto shqetësime, ne po i ngrisim çdo ditë dhe po i diskutojmë edhe në nivele të tjera më të larta politike, por nëse kemi informacione se diku po ka ndërtime pa leje atëherë se sigurisht që inspektorët reagojnë menjëherë.

Ballkani.info: Të flasim pak për aspektin politik… A mendoni që AKR-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Ministri Matoshi: Po çdo subjekt duhet të jetë i gatshëm, gjithmonë të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Ne mendojmë që zgjedhje të parakohëshme nuk do të ketë, t’paktën jo në këtë fazë por në rast se zgjedhjet shpallen nesër, ne do të garajomë dhe do të jemi të gatshëm dhe do të marrim pjesë. Besoj, që do të dalim shumë më të suksesshëm sesa herave të kaluara.

Ballkani.info: Kush do të ishin partnerët që do të mund të hynit së bashku në zgjedhje?

Ministri Matoshi: Ne nuk kemi vija të kuqe si subjekt politik. Nuk kemi vija të kuqe për askënd, punojmë me të gjithë ata që kanë në mëndje punën e mirë për vendin. Në të gjitha katër ministritë që ne i udhëheqim, janë bërë punë shumë të mira, ne e kemi dëshmuar këtë si subjekt politik, nuk na janë ngatërruar kompetencat , detyrat me partnerët tjerë të koalicionit. Ne e dijmë që kemi pas shumë vërejtje, shumë ankesa për koalicion me PAN-in fillimisht në atë kohë, por deri më tani ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë partnerët e koalicionit dhe respektohemi mes veti, respektojmë marrëveshjen që kemi arritur edhe besojmë që kështu do të vazhdojmë deri në fund. Gjithsesi do të dëshirojmë që qeveria e ardhshme e Kosovës, të ketë një shumicë më të madhe shqiptare, gjithsesi dëshirojmë që edhe opozita në të ardhmen por edhe kjo e tanishmja mos të përdor çështjet e rëndësishme që janë për qytetarët, për kauzat e tyre politike, për të kërkuar zgjedhje të parakohëshme ose për të ardhur në pushtet. Ideja është që pozita dhe opozita në Kosovë duhet me u bë bashkë, gjithsesi për me arritë me bë punë pak më të mira për vendin.

Ballkani.info: Ështe folur për një parakoalicion zgjedhor ndërmjet AKR-së, PSD-së dhe Alternativës, a është e vërtetë kjo?

Ministri Matoshi: Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi tani duke hyrë në proces zgjedhor të brendshëm si subjekt politik, po bëhemi gati për zgjedhjet kurdo që të jenë ato, kemi një koalicion me PSD-në në Prishtinë, mendojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim edhe në komunën e Kamenicës, kemi një vlerësim të lartë për PSD-në si subjekt i ri politik. Në të ardhmen, gjithçka është e mundur .

Intervistoi: Mihane Hoxha