Matoshi i reagon deputetit të LVV-së: Artan Abrashi, një nga mashat e ndikimit rus në rajon

Analisti i njohur, Halil Matoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të LVV-së, Artan Abrashi, i cili i njollosi të gjithë kritikuesit e kryeministrit Kurti duke i quajtur instrumente të Serbisë.

“Artan Abrashi, një nga mashat e ndikimit rus në rajon! Unë jam një nga kritikët e Kurtit (ish këshilltar e zyrtar i Qeverisë dhe analist politik) dhe nëse ky Artan Abrashi më rëndit në grupimin e anmiqve të Kosovës dhe “instrument i Beogradit”, unë i thom atina – si masë reciprociteti – se asht nji nga mashat e luftës hibride ruse në Ballkan, pra ai Abrashi, angazhohet për me e shtri ndikimin rus në Kosovë!”, ka shkruar Matoshi.

“Çdokush që në Kosovë flet kundër Albin Kurtit, menjëherë citohet nga mediet në Serbi. Kurrë kështu e kaq shumë mediet në serbi nuk janë shërbyer nga komentatorë e analistë të Kosovës për të përshkruar njëanshëm çdo zhvillim në vend. Në mesin e personave që citohen për të sulmuar Albin Kurtin gjeni politikan aktivë pa asnjë arritje, politikan të pensionuar, ish-këshilltarë e funksionarë të ndryshëm të PLAN-it. Kritikat e tyre përplot inate pastaj përdoren si kanar i kritikave të politikanëve serbë ndaj Albin Kurtit. Pastaj dalin e thonë, shihni se çka thonë vet shqiptarët për të andaj edhe ne duhet ta ashpërsojmë gjuhën kundër tij. Me të njëjtën gjuhë i flasin edhe qytetarëve serb të Kosovës të cilët vazhdimisht i kërcënojnë dhe i mbajnë të izoluar. Kur kundërshtinë ndaj Albin Kurtit e ke qëllim e jo instrument, përfundon duke u bërë vetë dhe vetëm instrument i qëllimeve kundër interesit kombëtar. Instrument për qëllimet e Serbisë kundër Qeverisë së parë të Kosovës që nuk varet nga votat e Beogradit, që nuk lejon mbajtjet e referendumit serb dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe që vendos reciprocitet”, ka thënë Abrashi. /Demokracia.com/