Matoshi godet Edi Ramën: Ndihmat humanitare nuk doganohen as në gjendje lufte

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që taksa rrugore prej pesë eurove duhet të paguhet nga të gjithë, përfshirë edhe ata që sjellin ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Matoshi e ka quajtur deklaratën e Ramës të zhveshun nga morali politik dhe dinjiteti qytetar.

Ai përmes Facebook-ut ka shkruar se ndihmat humanitare nuk doganohen askund në botë madje as gjendje lufte.

“Ndihmat humanitare askund në botë nuk doganohen nga shteti, madje edhe në luftë palët ndërluftuese garantojnë korridore humanitare, kurse Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se rruga duhet të paguhet 5 euro nga të gjithë ata që sjellin ndihma”, ka shkruar Matoshi.

Matoshi ka bërë thirrje që taksa rrugore e “Rruhës së Kombit” të pezullohet për të gjithë qytetarët.

“Taksa rrugore prej 5 euro duhet të pezullohet për të gjithë qytetarët, sëpaku aq sa zgjasin operacionet humanitare, kërkim-shpëtimi, ndihmat dhe zhvendosja eventuale e familjeve të pastreha në Kosovë”, ka shkruar ai.