Mashtrimi me derivate| Buxheti i Kosovës u dëmtua me mbi 600 mijë euro ka të arrestuar

Dogana e Kosovës përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se pas disa kontrolleve doganore dhe inspektim në tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës kanë gjetur dyshime për shmangie taksash.

Në njoftimin e Doganës thuhet se dyshohet që këto tri subjekte i kanë shkaktuar dëm shtetit të Kosovës në vlerë prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit.

“Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar ne dokumente te falsifikura nder vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit. Dogana e Kosovës ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me vendim të prokurorit janë arrestuar personat përgjegjës të tri subjekteve të përfshira në këto procedura lirimi, përderisa hetimi do të vijoj në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve”, thuhet në njoftimin e Doganës.

“Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.