MASHT’i shpërblen zyrtarët serb që nuk shkuan për asnjë ditë në punë

Mbi 30 nëpunës të komunitetit serb janë shpërblyer për mospunën e tyre nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Pavarësisht se nuk janë lajmëruar në punë asnjë ditë gjatë vitit të kaluar, ata kanë marrë pagat rregullisht. Mospuna e tyre i ka kushtuar Shtetit mbi 130 mijë euro. “Shpërblime” të ngjashme ka bërë edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Zyrtarët e komunitetit serb po arrijnë që të marrin paga nga institucionet e vendit pa punuar asnjë ditë të vetme. Një rast i tillë është edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në krye me Shyqiri Bytyqin.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 32 nëpunës të komunitetit serb kanë vazhduar të marrin paga nga MASHT’i edhe pse nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë.

“Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Për zyrtarët e lartcekur ministria, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për MASHT’in.

Pagat e këtyre nëpunësve të komunitetit serb e kanë “tkurrur” buxhetin për mbi 130 mijë euro gjatë vitit të kaluar.

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës dhe arsyeve tjera, përfshirë edhe rrethanat politike.

ZKA’ja konsideron se pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe nuk janë pagesa të rregullta, si dhe dëmtojnë buxhetin e Ministrisë.

Ky institucion rekomandon Ministrin Shyqiri Bytyqi që të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore, dhe ta adresoj këtë çështje edhe në Qeveri.

Ndryshe, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L-199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës.

Përmes këtij vendimi, obligoheshin ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore.