MASHTI përsëri akuzon SBASHK-un për grevën, njofton se nesër fillon mësimi në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka njoftuar se nesër do të fillojë procesi mësimor në Kosovë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), gjatë së shtunës kanë njoftuar se e kanë pezulluar grevën dhe mësimi do të fillojë të hënën, respektivisht më 3 tetor.

Pas pezullimit të grevës, ka reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e cila e ka akuzuar përsëri SBASHK-un për grevë, shkruan Demokracia.com.

MASHTI përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur se nesër fillon procesi mësimor në tërë vendin.

“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”, thuhet në njoftimin e MASHTI-it.

Njoftimi i plotë i MASHTI-it, pa ndërhyrje:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër, (e hënë, 3 tetor 2022), fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK.

Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Gjithashtu, MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë,  tekst i ri i hartuar këtë vit,  do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

Ministria e Arsimit uron të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor.

Suksese të gjithëve!